“Ibn Shihabi na ka thënë: Më ka rrëfyer Abdurrahman ibn Malik Mudlixhiu, - që është djali i vëllait të Suraka ibn Malik ibn Xhuëshumit, - e këtij i ka treguar babai i tij se Suraka ibn Xhuëshumi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Të deleguarit e idhujtarëve kurejshë caktuan një shpërblim për atë që vret ose sjell të gjallë të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe Ebu Bekrin. Teksa unë isha ulur në një prej ndejave të fisit tim benu mudlixh, erdhi njëri prej tyre, u ndal te ne dhe tha: “O Suraka, pak më parë pashë diçka të zezë pranë bregdetit, mendoj se është Muhamedi me shokët e tij. Suraka tha: “Unë e dija se ata ishin, por thashë: “Jo, nuk janë ata, porse ti ke parë filanin e filanin, të cilët veçse i kemi parë të dalin në kërkim të një kafshe që u ka humbur. Unë qëndrova edhe pak aty, pastaj u ngrita, shkova në shtëpi, e urdhërova robëreshën time që me kalin tim të dalë pas kodrine dhe ta mbajë aty. Unë e mora shtizën, dola mbrapa shtëpisë, e ula majën e shtizës përtokë, derisa shkova te kali dhe i hipa. E shpejtova kalin pak, derisa arrita afër tyre. Aty kali u pengua dhe unë u rrëzova. U ngrita dhe e zgjata dorën në trastë, i nxora shigjetat e fatit dhe parashikova fatin: a t'i sulmoj ata apo jo. Doli ajo që e urreja. Por, sërish i hipa kalit dhe nuk e respektova parashikimin e fatit. Vajta afër tyre, saqë e dëgjova edhe recitimin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili nuk shikonte anash, kurse Ebu Bekri vështronte vazhdimisht. Aty m'u fundosën këmbët e para të kalit në tokë, deri në gjunjë dhe u rrëzova prej tij. Pastaj, e tremba kalin, i cili u ngrit dhe mezi i nxori këmbët. Me t'u ngritur në këmbë, prej gjurmëve të këmbëve të para doli një lloj pluhuri i shpërndarë në qiell sikurse tym. Unë prapë e parashikova fatin, mirëpo doli ajo që e urreja. Atëherë i thirra duke u kërkuar siguri, e ata u ndalën. I hipa kalit derisa shkova afër tyre. U binda nga ajo që më ndodhi pak më parë si pengesë që të mos arrij tek ata, se i Dërguari i Allahut ﷺ do të jetë fitimtar. I thashë Pejgamberit ﷺ: “Populli yt kanë caktuar një shpërblim për atë që të zë" dhe i tregova çfarë po planifikojnë njerëzit për ta. U ofrova ushqim dhe plaçka, por ata as m'i morën, as m'i kërkuan, por thjesht Pejgamberi ﷺ më tha: “Mos trego për ne!” I kërkova të më shkruajë një letër garancie. Atëherë ai e urdhëroi Amir ibn Fuhejrën, i cili në një copë lëkure e shkroi atë që kërkova, pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ vazhdoi rrugën. Ibn Shihabi ka thënë: “Më ka rrëfyer Urve ibn Zubejri, i cili tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ e takoi Zubejrin me një grup tregtarësh muslimanë, që ishin duke u kthyer prej Shamit. Zubejri u dha rroba të bardha të Dërguarit Allahut ﷺ dhe Ebu Bekrit. Në Medinë muslimanët kishin dëgjuar se i Dërguari i Allahut ﷺ ishte nisur prej Mekës, andaj dilnin çdo mëngjes te pllajat, duke e pritur atë, derisa të nxehtët e drekës i detyronte të ktheheshin. Një ditë, pasi pritën gjatë, u kthyen. Me të hyrë nëpër shtëpi, një hebre hipi mbi një kala, për të vëzhguar për një punë të tij. Aty e pa të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe shokët e tij të veshur me të bardhë, por nuk shiheshin mirë nga mirazhi. Atëherë hebreu nuk u përmbajt, andaj thirri me zë shumë të lartë: “O ju arabë, ja, ky është zotëria juaj që po e prisni!” Muslimanët brofën, i morën armët dhe e pritën të Dërguarin e Allahut ﷺ prapa pllajës. Pejgamberi ﷺ shkoi nga ana e djathtë dhe u ndal te fisi benu amër ibn auf. Kjo ndodhi në ditën e hënë të muajit rebiul evel. Ebu Bekri u ngrit dhe i priste njerëzit, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ rrinte ulur duke heshtur. Disa ensarë, që nuk e kishin parë më herët të Dërguarin e Allahut ﷺ, filluan ta përshëndesin Ebu Bekrin (mendonin se ai ishte Pejgamberi ﷺ), derisa dielli i ra të Dërguarit të Allahut ﷺ, e në atë rast Ebu Bekri filloi t'i bëjë hije me rrobën e tij. Atëherë njerëzit e njohën të Dërguarin e Allahut ﷺ. I Dërguari i Allahut ﷺ qëndroi te fisi benu amër ibn auf më shumë se dhjetë net. Aty u ndërtua xhamia e themeluar me devotshmëri, ku dhe u fal Pejgamberi ﷺ. Pastaj i hipi devesë së tij, ndërsa njerëzit i shkonin pas, derisa deveja u ul te vendi i Xhamisë së të Dërguarit të Allahut ﷺ në Medinë, vend në të cilin atëkohë faleshin disa muslimanë. Ky vend ishte vend tharje e hurmave, që ishte pronë e Suhejlit dhe Sehlit, dy djem jetimë nën përkujdesjen e Esad ibn Zurarës. Pasi deveja u ul aty, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ky vend, në dashtë Allahu, do të jetë vendi ku do të zbres.” Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ i thirri dy djemtë dhe u kërkoi që t'ia shesin atë vend, për ta ndërtuar xhaminë. Ata thanë: “Jo, por po ta dhurojmë, o i Dërguari i Allahut!” I Dërguari i Allahut ﷺ nuk e pranoi si dhuratë, por këmbënguli t'ua blejë. Më pas e ndërtoi xhaminë dhe vetë i Dërguari i Allahut ﷺ bartte tulla gjatë ndërtimit dhe thoshte: “Kësaj i them barrë, e jo barrës së Hajberit, Kjo, o Zoti ynë, është më e mirë e më e pastër.” Po ashtu thoshte: “O Allah, shpërblimi i vërtetë është ai në ahiret, Andaj, ensarët dhe muhaxhirët mëshiroi krejt!” Ai e recitoi poezinë e njërit prej muslimanëve, por që nuk e përmendi emrin e tij. Ibn Shihabi ka thënë: “Nuk na ka arritur ndonjë hadith se Pejgamberi ﷺ ka recituar ndonjë strofë të plotë përpos kësaj strofe.””