“Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Abdusamedi, e këtij i ka treguar babai i tij, e këtij i ka treguar Abdulaziz ibn Suhejbi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ u nis për në Medinë, ndërsa mbrapa e kishte Ebu Bekrin. Ebu Bekri ishte i thinjur e i njohur (te medinasit), kurse Pejgamberi ﷺ nuk ishte i thinjur dhe nuk njihej (nga medinasit). Kur dikush (gjatë rrugës) e pyeste Ebu Bekrin: “O Ebu Bekër, kush është ky njeriu para teje?”, ai u thoshte: “Ky është njeriu që më udhëzon rrugës.” Kështu, personi (që pyeste) mendonte se ai ishte udhërrëfyes, kurse Ebu Bekri kishte për qëllim rrugën e mirësisë. Gjatë rrugës, Ebu Bekri vërejti një kalorës, i cili tanimë i kishte arritur, dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, na zuri një kalorës!” Pejgamberi ﷺ u kthye dhe tha: “O Allah, rrëzoje përtokë!” Kështu, kali e rrëzoi kalorësin dhe u ngrit duke hungëruar. Kalorësi (pasi u dorëzua) tha: “O i Dërguari i Allahut, më urdhëro çfarë të duash.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Ndalu aty ku je dhe mos lejo askënd të vijë pas nesh.” Paradite kalorësi qe armik i Pejgamberit ﷺ, kurse pasdite u bë mbrojtës i tij. Pastaj Pejgamberi ﷺ dërgoi dikë tek ensarët (që t'i lajmërojë), të cilët erdhën te Pejgamberi ﷺ dhe Ebu Bekri. U dhanë selam dhe thanë: “Kalëroni të sigurt dhe të respektuar.” Kështu, Pejgamberi ﷺ dhe Ebu Bekri kalëronin, ndërsa ata i mbronin me armë. Në Medinë thërrisnin: “Erdhi i Dërguari i Allahut! Erdhi i Dërguari i Allahut ﷺ!” Njerëzit dolën nëpër rrugë dhe, duke shikuar, thoshin: “Erdhi i Dërguari i Allahut! Erdhi i Dërguari i Allahut ﷺ!” Ai eci pak, derisa u ndal afër shtëpisë së Ebu Ejubit. Teksa Pejgamberi ﷺ fliste me familjen e Ebu Ejubit, Abdullah ibn Selami, i cili po vilte ca hurma në kopshtin e familjes, me nxitim e la vjeljen dhe, me hurmat që kishte, shkoi te Pejgamberi ﷺ për ta dëgjuar, pastaj u kthye në familjen e vet. Pejgamberi ﷺ tha: “Cila shtëpi e familjarëve tanë është më afër?” Ebu Ejubi tha: “Imja, o i Dërguari i Allahut. Kjo është shtëpia ime. Këtu e ka derën.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Shko na e përgatit vendin për pushim.” Ebu Ejubi tha: “Ngrihuni, me begatinë e Allahut.” Kur Pejgamberi ﷺ shkoi (tek Ebu Ejubi), vajti Abdullah ibn Selami e i tha: “Dëshmoj se ti je i Dërguari i Allahut dhe dëshmoj se ti ke ardhur me të vërtetën. Hebrenjtë e dinë se unë jam zotëria dhe i biri i zotërisë së tyre, më i dituri dhe biri i më të diturit të tyre, andaj thirri ata dhe pyeti për mua, para se të marrin vesh se unë jam bërë musliman, sepse, kur të kuptojnë se jam bërë musliman, do të shpifin për mua diçka të paqenë.” Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi dikë që t'i thërrasë. Kur erdhën dhe hynë brenda, i Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “O ju hebrenj, mjerë ju! Kini frikë Allahun! Betohem në Allahun, përveç të Cilit s'ka të adhuruar tjetër të denjë, ju e dini se unë me të vërtetë jam i Dërguari i Allahut dhe se ju kam ardhur me të vërtetën, andaj pranojeni Islamin.” - Nuk e dimë këtë, - iu përgjigjën ata. Ai ua përsëriti këtë tri herë me radhë. Pastaj u tha: “Çfarë njeriu është Abdullah ibn Selami?” - Ai është zotëria dhe biri i zotërisë sonë, më i dituri dhe biri i më të diturit tonë, - thanë ata. - “Po nëse ai bëhet musliman?” - pyeti Pejgamberi ﷺ. - Allahu mos e bëftë! Ai nuk do ta pranojë Islamin, - thanë ata. - “Po nëse ai bëhet musliman?” - pyeti Pejgamberi ﷺ. - Allahu mos e bëftë! Ai nuk do ta pranojë Islamin, - thanë ata. - “Po nëse ai bëhet musliman?” - pyeti Pejgamberi ﷺ. - Allahu mos e bëftë! Ai nuk do ta pranojë Islamin, - thanë ata. - “O Ibn Selam, dil përpara!” - i tha Pejgamberi ﷺ. Ai doli dhe tha: “O ju hebrenj, kini frikë Allahun! Betohem në Allahun, përveç të Cilit s'ka të adhuruar tjetër të denjë, ju e dini se ky është i Dërguari i Allahut dhe ka ardhur me të vërtetën. - Po gënjen, - i thanë ata. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ i nxori jashtë.””