“Ahmed ibn Othmani më ka thënë: Na ka treguar Shurejh ibn Mesleme, e këtij i ka treguar Ibrahim ibn Jusufi, e ky nga babai i tij, e ky nga Ebu Is'haku, e këtij i ka treguar Amër ibn Mejmuni se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Sad ibn Muadhi ka qenë shok i Umeje ibn Halefit dhe, kur ai vinte në Medinë, qëndronte te Sadi, si dhe anasjelltas, kur Sadi shkonte në Mekë, qëndronte tek Umeja. Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ u shpërngul në Medinë, Sadi u nis për të kryer umrën, prandaj shkoi në Mekë tek Umeja dhe i tha: “Më gjej një kohë kur mund të jem i vetëm, që të mund të bëj tavaf.” Dolën diku në mesditë dhe në rrugë e takuan Ebu Xhehlin, i cili tha: “O Ebu Safvan, kush është ky?” Ai tha: “Ky është Sadi.” Ebu Xhehli i tha: “Ti po lëviz lirshëm i sigurt nëpër Mekë, ndërkohë i keni strehuar renegatët dhe pretendoni se u ndihmoni në luftëra dhe jetën e përditshme? Betohem në Allahun se, sikur të mos ishe me Ebu Safvanin, nuk do të ktheheshe i shëndoshë në shtëpi.” Sadi, duke ngritur zërin, ia ktheu: Nëse më pengon për ta kryer këtë, unë do të të pengoj prej diçkaje që për ty është edhe më e rëndësishme: të kalosh nëpër Medinë.” Umeja i tha: “O Sad, mos ia ngrij zërin Ebu Hakemit, zotërisë së banorëve të luginës (Mekës).” Sadi i tha: “Lëre, mos e mbroj , o Umeje! Betohem në Allahun se e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë se do të të vrasin ty.” Ai tha: “Në Mekë?” Sadi tha: “Nuk e di.” Umeja u tmerrua nga kjo që dëgjoi dhe, me t'u kthyer në shtëpi, i tha bashkëshortes: “Oj Umu Safvan, a ke dëgjuar ç'më ka thënë Sadi?” Ajo pyeti: “Çfarë ashtu?” Umeja u përgjigj: “Më tha se Muhamedi u ka thënë se ata do të më vrasin. E pyeta: “Në Mekë?” Ai tha: “Nuk e di.” Betohem në Allahun se nuk do të dal nga Meka.” Kështu, ditën e Bedrit, Ebu Xhehli i thirri njerëzit për luftë dhe u tha: “Mbroni karvanët tuaj.” Por, Umeja nuk donte të nisej. Ebu Xhehli erdhi dhe i tha: “O Ebu Safvan, ngaqë ti je një prej zotërinjve të banorëve të Luginës (Mekës), nëse njerëzit të shohin ty të zmbrapsesh, edhe ata do të zmbrapsen.” Ebu Xhehli këmbënguli derisa Umeja tha: “Meqë ma mbushe mendjen, do të blej devenë më të mirë në Mekë (dhe do të vij).” Pastaj iu drejtua bashkëshortes: “Oj Umu Safvan, m'i bëj gati gjërat.” Ajo i tha: “O Ebu Safvan, vallë, mos ke harruar çfarë të ka thënë vëllai yt jethribas?” Ai tha: “Jo, nuk do të shkoj larg me ta.” Kur u nis rrugës, nuk linte vendpushim pa e lidhur devenë e vet, derisa Allahu e vrau në Bedër.”