“Ebu Asimi transmeton nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ata ibn Jezidi, e ky nga Ubejdullah ibn Adiu, e ky nga Mikdad ibn Esvedi. [t]: Is'haku më ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahim ibn Sadi, e këtij i ka treguar djali i vëllait të Ibn Shihabit, e ky nga xhaxhai i tij, e këtij i ka rrëfyer Ata ibn Jezid Lejthiu Xhundeiu, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Adij ibn Hijari se Mikdad ibn Amër Kindiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), - i cili ishte aleat i fisit benu zuhre dhe kishte qenë pjesëmarrës në Bedër me të Dërguarin e Allahut ﷺ, - tregon se i ka thënë të Dërguarit të Allahut ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, sikur të takoj një jobesimtar e të luftoj me të, pastaj ai të më godasë njërën dorë me shpatë e të ma presë, e më pas të mbrohet nga unë pas një peme dhe të thotë: “U bëra musliman!”, a ta vras, o i Dërguari i Allahut, pasi ta thotë këtë?” - “Mos e vrit!” - tha i Dërguari i Allahut ﷺ. - O i Dërguari i Allahut, ai më preu njërën dorë! Ndërkaq, ato fjalë i tha pasi ma preu dorën! - përsëriti Mikdadi. - “Mos e vrit, se, nëse e vret, ai do ta zërë vendin tënd në të cilin ishe para se ta vrisje, kurse ti do të jesh në vendin ku ishte ai para se ta thoshte fjalën që tha”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.””