“Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ e dërgoi dajën e Enesit, - vëllanë e Umu Sulejmit, - me shtatëdhjetë kalorës, ndërkaq udhëheqës i idhujtarëve ishte Amir ibn Tufejli. Amiri ia propozoi Pejgamberit ﷺ tri opsione: “Ti merri banorët e Sehlit (fshatrave), kurse unë banorët e Mederit (qytezave), ose të të bëhem halife, përndryshe do të të luftoj me dy mijë luftëtarë të Gatafanit!” Pastaj Amiri, duke qenë në shtëpinë e umu filanit, u sëmur prej murtajës dhe tha: “Gjëndra sikurse gjëndra e devesë, në shtëpinë e një gruaje të benu filanit, ma sillni kalin tim.” Më pas vdiq duke qenë në shpinën e kalit. Harami, vëllai i Umu Sulejmit, shkoi tek idhujtarët, së bashku me një pjesëtar të fisit benu filan dhe një tjetër i cili ishte i çalë. Harami u tha atyre: “Qëndroni afër derisa të shkoj tek ata. Nëse më sigurojnë, qëndroni këtu, e, nëse më vrasin, kthehuni te shokët tuaj.” Kur shkoi, u tha: “A më siguroni që t'ua përcjell mesazhin e të Dërguarit të Allahut ﷺ?” Dhe filloi t'u flasë. Ata i bënë me shenjë një njeriu, i cili i shkoi pas shpine dhe e goditi. Hemami thotë: “Kujtoj se ka thënë: “Saqë shtiza i doli përtej.” Atëherë Harami tha: “Allahu ekber, fitova, për Zotin e Qabesë!” Pastaj e zunë edhe personin e dytë. Kështu, u vranë të gjithë, përveç atij që i ishte i çalë, i cili kishte hipur në majë të kodrës. Enesi shton: “Allahu i zbriti këto fjalë: “Ne e kemi takuar Zotin tonë, e Ai është i kënaqur me ne dhe ne jemi të kënaqur me Të”, të cilat më pas u shfuqizuan. Pejgamberi ﷺ u lut kundër tyre në tridhjetë namaze të sabahut, përkatësisht kundër fiseve: riël, dhekvan, beni lihjan dhe usaje, të cilat e kundërshtuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ.””