“Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Husajni, e ky nga Ebu Vaili se Mesruku tregon: “Umu Rumani (Allahu qoftë i kënaqur me të!), nëna e Aishes, më ka treguar: “Teksa po rrija me Aishen, erdhi një grua ensare dhe tha: - Allahu e bëftë kështu e ashtu filanin (duke u lutur kundër tij)! - Përse vallë? - pyeti Umu Rumani. - Djali im është prej atyre që kanë folur, - tha ajo. - E çfarë ka folur? - pyeti Umu Rumani. - Ka thënë kështu e ashtu (ka përhapur shpifjen), - iu përgjigj ajo. - Vallë, ka dëgjuar i Dërguari i Allahut ﷺ? - pyeti Aishja. - Po, - tha ajo. - Po Ebu Bekri? - pyeti Aishja. - Po, - iu përgjigj ensarja. (Me të dëgjuar këtë) Aishes i ra të fikët dhe ra përtokë. Kur u zgjua, e kapluan ethet me dridhje, andaj ia hodha rrobën për ta mbuluar. Pejgamberi ﷺ erdhi dhe pyeti: - “Çfarë ka kjo?” - O i Dërguari i Allahut, e kanë kapluar ethet me dridhje, - tha ajo. - “Për shkak të shpifjes që është bërë ndaj saj?” - pyeti. - Po, - iu përgjigj ajo. Aishja u ul dhe tha: “Për Allahun, nëse ju betohem, ju nuk do të më besoni, e, nëse do të kërkoja ndjesë, nuk do të më arsyetonit. Andaj, gjendja ime tani, në raport me ju, është sikurse gjendja e Jakubit me të bijtë e tij. “ Por, vetëm Allahut i kërkohet ndihma në këtë që ju flisni.” (Jusuf, 18) Pejgamberi ﷺ u largua, pa thënë asgjë. Pastaj, Allahu e zbriti pafajësinë e saj.” Atëherë Aishja tha: “Merita për këtë i takon vetëm Allahut, askujt tjetër, madje as ty.””