“Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami se babai i tij Urve tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u nis drejt Mekës, vitin e Çlirimit, kurejshët morën vesh për këtë. Andaj, Ebu Sufjan ibn Harbi, Hakim ibn Hizami dhe Budejl ibn Verkai dolën që të marrin informacione për të Dërguarin e Allahut ﷺ. Ata vazhduan të ecin derisa arritën te vendi Merr Dhahran, ku panë zjarre të ndezura, sikur të ishin zjarret e Arafatit. Ebu Sufjani tha: - Ç'janë këto? Sikur të jenë zjarret e Arafatit. - Zjarret e fisit benu amër, - tha Budejl ibn Verkai. - Fisi amër janë më pak se këto (zjarre), - tha Ebu Sufjani. Rojat e të Dërguarit të Allahut ﷺ i panë ata, andaj i ndoqën dhe i kapën. Kështu, i sollën para të Dërguarit të Allahut ﷺ, ku Ebu Sufjani e pranoi Islamin. Pasi vazhduan rrugën, Pejgamberi ﷺ i tha Abasit: “Ndale Ebu Sufjanin te vendi Hatmu Hajl (një ngushticë) , që t'i shohë muslimanët.” Abasi e ndali Ebu Sufjanin dhe kështu fiset parakalonin së bashku me Pejgamberin ﷺ, çetë pas çete, pranë Ebu Sufjanit. Kur kaloi një çetë, ai pyeti: - O Abas, cilët janë këta? - Këta janë fisi gifar, - tha Abasi. - Çka kam unë me fisin gifar?! - tha Ebu Sufjani. Kur parakaloi fisi xhuhejne, ai parashtroi të njëjtën pyetje. Njëjtë edhe me fisin e Sad ibn Hudhejmit dhe me fisin sulejm. Kur parakaloi një çetë, që nuk kishte parë sikurse ajo, pyeti: - Po këta, cilët janë? - Këta janë ensarët, në krye me Sad ibn Ubaden, i cili po e mban flamurin, - tha Abasi. - O Ebu Sufjan, sot është dita e betejës së madhe. Sot edhe në Qabe lejohet (derdhja e gjakut), - iu drejtua Sad ibn Ubade. - O Abas, dita e shkatërrimit! - tha Ebu Sufjani. Pastaj kaloi një çetë, më e vogla ndër çeta. Aty ishte i Dërguari i Allahut ﷺ dhe shokët e tij. Flamurin e Pejgamberit ﷺ e kishte Zubejr ibn Avami. Kur kaloi i Dërguari i Allahut ﷺ tek Ebu Sufjani, ai tha: - E di çfarë më tha Sad ibn Ubade? - “Çfarë të tha?” - pyeti Pejgamberi ﷺ. - Më tha kështu e ashtu. - “Sadi ka gabuar. Sot është dita kur Allahu do t'i japë madhështi Qabesë dhe sot ajo do të mbulohet”, - tha Pejgamberi ﷺ dhe urdhëroi që flamuri të vendoset në Haxhun (vend afër varrezave të Mekës). Urve ka thënë: “Më ka rrëfyer Nafi ibn Xhubejr ibn Mutëimi se e ka dëgjuar Abasin duke i thënë Zubejr ibn Avamit: “O Ebu Abdullah, i Dërguari i Allahut ﷺ të ka urdhëruar që flamurin ta vendosësh këtu.” Urve shton: “I Dërguari i Allahut ﷺ atë ditë e urdhëroi Halid ibn Velidin të hyjë nga ana e sipërme e Mekës prej Kedasë, kurse Pejgamberi ﷺ hyri prej Kudasë. Atë ditë kalorësit e Halid ibn Velidit vranë dy persona: Hubejsh ibn Esharin dhe Kurz ibn Xhabir Fihriun.””