“Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Omer ibn Kethir ibn Eflahu, e ky nga Ebu Muhamedi, i çrobëruari i Ebu Katades, se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Vitin e Betejës së Hunejnit u nisëm me Pejgamberin ﷺ dhe, kur u ballafaquam me armikun, muslimanët pësuan një thyerje. Pashë një idhujtar se i kishte hipur sipër një muslimani, andaj e godita nga mbrapa me shpatë në qafë, saqë ia preva parzmoren. Ai u kthye nga unë, më mbërtheu aq fort, saqë e nuhata erën e vdekjes. Por, e kaploi vdekja dhe më lëshoi. Unë iu bashkëngjita Omerit dhe i thashë: “Çfarë po ndodh me njerëzit (ushtarët)?!” Ai më tha: “Caktimi i Allahut.” Pasi ushtria u kthye, Pejgamberi ﷺ u ul dhe tha: “Atij që ka vrarë ndonjë armik dhe ka dëshmi për këtë, i takon preja e të vrarit (mjetet e luftës) .” Unë thashë: “Kush dëshmon për mua?” Pastaj u ula. Pejgamberi ﷺ tha sërish të njëjtën gjë. Unë prapë u ngrita dhe thashë: “Kush dëshmon për mua?” Pastaj u ula. Pejgamberi ﷺ tha sërish të njëjtën gjë. Unë u ngrita, por Pejgamberi ﷺ ma priti duke thënë: “Çfarë ke, o Ebu Katade?” - andaj ia tregova ndodhinë. Një burrë tha: “Ashtu është, o i Dërguari i Allahut, ndërsa prenë e armikut të tij e kam unë, por kompensoja atij me diçka, e kjo të më mbetet mua .” Ebu Bekër Sidiku tha: “Jo, për Allahun! Atëherë, po i bie që Pejgamberi ﷺ të ta japë ty plaçkën e njërit prej luanëve të Allahut, i cili lufton për Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ.” Pejgamberi ﷺ tha: “Të vërtetën e ka thënë, jepja atij (Ebu Katades) !” - dhe ma dha prenë. Parzmoren e shita dhe bleva një kopsht hurmash në fisin benu selime. Kjo ishte pasuria e parë që e fitova si musliman.””