“Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Omer ibn Kethir ibn Eflahu, e ky nga Ebu Muhamedi, i çrobëruari i Ebu Katades, se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Hunejnit pashë një burrë musliman duke luftuar me një burrë idhujtar, ndërsa një idhujtar tjetër shkonte fshehurazi nga mbrapa për ta vrarë muslimanin. Unë nxitova nga ai që shkonte fshehurazi, i cili e ngriti dorën për të më goditur, por unë shpejtova dhe ia godita dorën e tij e ia këputa. Ai më kapi dhe më mbërtheu aq fort, saqë u frikësova se do të vdisja, por pastaj më lëshoi. Unë e shtyva tutje dhe e vrava. Kur muslimanët u shpartalluan, edhe unë u shpartallova me ta. Aty pashë Omer ibn Hatabin, në mes të njerëzve, të cilit i thashë: “Çfarë po ndodh me njerëzit (ushtarët)?!” Ai më tha: “Caktimi i Allahut.” Pastaj njerëzit u kthyen tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili tha: “Atij që ka dëshmi se ka vrarë ndonjë armik, i takon preja e të vrarit (mjetet e luftës) .” Unë u ngrita për të kërkuar dëshmi për të vrarin tim, por nuk gjeta askënd që të dëshmojë për mua, andaj u ula. Pastaj m'u kujtua dhe ia përmenda çështjen e tij të Dërguarit të Allahut ﷺ. Një njeri, që ishte ulur me të, tha: “Armët e atij të vrari, që po e përmend ky, janë tek unë, por kompensoja atij me diçka, e këto të më mbeten mua !” Ebu Bekri tha: “Jo, për Allahun! Nuk i jepet të dobëtit të kurejshëve, duke lënë një prej luanëve të Allahut, i cili lufton për Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ.” I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit dhe m'i dha mua ato, pasuri me të cilën bleva një kopsht. Kjo ishte pasuria e parë që e fitova si musliman.””