“Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejd ibn Abdullahu, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pasi Pejgamberi ﷺ e mbaroi Betejën e Hunejnit, e dërgoi Ebu Amirin në krye të një ushtrie tek Evtasi. Ai u ballafaqua me Durejd ibn Simein, të cilin e vrau dhe Allahu ia mposhti shokët e tij. Edhe mua më dërgoi me Ebu Amirin. Gjatë betejës, dikush e goditi në gju. Unë iu afrova dhe e pyeta: “O xhaxha, kush të gjuajti?” Ai bëri me dorë dhe tha: “Ai është vrasësi që më gjuajti!” Sakaq, unë ia mësyva vrasësit dhe e arrita, por, kur më pa, iku. Unë iu vura pas dhe i thosha: “A nuk po turpërohesh? Ke frikë të ballafaqohesh?” Kështu, ai u ndal. I shkëmbyem dy goditje me shpata dhe e vrava. Pastaj i thashë Ebu Amirit: “Allahu e vrau atë që të sulmoi!” Ai më tha: “Tërhiqe këtë shigjetë!” Kur e tërhoqa, filloi të rrjedhë ujë. Atëherë Ebu Amiri më tha: “O djali i vëllait tim, bëji selam Pejgamberit ﷺ dhe thuaji të kërkojë falje për mua!” Pastaj më caktoi në krye të ushtrisë dhe nuk vonoi shumë e vdiq. Pasi u ktheva, shkova te Pejgamberi ﷺ në shtëpinë e tij, të cilin e gjeta në një shtrat hasre të mbuluar me një shtrojë, ndërkaq të thururat e shtratit i kishin lënë gjurmë në shpinë dhe në të dy anët e trupit. Unë i tregova për ndodhinë tonë dhe për Ebu Amirin, i cili më kishte porositur t'i them: “Kërko falje për mua.” Atëherë Pejgamberi ﷺ kërkoi pak ujë, mori abdes, i ngriti duart dhe tha: “O Allah! Fale Ubejd Ebu Amirin!” Kështu, i ngriti duart aq shumë, saqë ia pashë të bardhat e sqetullave. Pastaj tha: “O Allah! Ditën e Kiametit, ngrije atë mbi shumë krijesa të Tua nga radhët e njerëzve!” Unë i thashë: “Kërko falje edhe për mua!” Atëherë, ai u lut: “O Allah! Falja mëkatet Abdullah ibn Kajsit dhe Ditën e Kiametit vendose në një vend fisnik!” Ebu Burde ka thënë: “Njëra (lutje) ishte për Ebu Amirin, kurse tjetra për Ebu Musain.””