“Jakub ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Ismaili, e këtij i ka treguar ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Atai, e këtij i ka treguar Safvan ibn Jala ibn Umeje se Jala (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kisha dëshirë ta shihja të Dërguarin e Allahut ﷺ duke i zbritur shpallja. Kështu, teksa Pejgamberi ﷺ ishte në Xhiëranë së bashku me disa shokë të tij dhe i kishin vendosur një rrobë për t'i bërë hije, vajti një beduin, i veshur me xhybe e i lyer me parfum, e tha: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë thua për një person që hyn në ihram për umre, i veshur me xhybe, duke qenë i lyer me parfum?” Omeri më bëri me dorë që të veja. Unë vajta, e futa kokën (nën rrobë) dhe pashë se Pejgamberit ﷺ i ishte skuqur fytyra dhe po gërhiste për disa çaste. Pasi u këndell , pyeti: “Ku është ai që pyeti rreth umrës, pak më parë?” Kështu, e kërkuan personin në fjalë dhe, kur e sollën, Pejgamberi ﷺ i tha: “Pastroje parfumin nga trupi tri herë, zhvishe xhyben dhe vepro gjatë umrës ato që i vepron gjatë haxhit.””