“Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Allahu ia dha të Dërguarit të Tij ﷺ në pronësi prenë e fisit hevazin dhe Pejgamberi ﷺ filloi t'u japë disa burrave (kurejshë) nga njëqind deve, disa ensarë thanë për Pejgamberin ﷺ: “Allahu e faltë të Dërguarin e Allahut ﷺ! Kurejshëve po u jep, kurse neve jo, ndërkohë shpatat tona ende po kullojnë gjak të tyre.” Kur i treguan të Dërguarit të Allahut ﷺ për këto fjalë, ai dërgoi dikë tek ensarët për t'i tubuar nën një tendë. Askënd tjetër nuk e la aty me ta. Kur u tubuan, Pejgamberi ﷺ vajti e u tha: - “Ç'është puna e disa fjalëve, që më kanë arritur për ju?” - Udhëheqësit tanë nuk kanë thënë asgjë, o i Dërguari i Allahut, por disa të rinj kanë thënë: “Allahu e faltë të Dërguarin e Allahut ﷺ! Kurejshëve po u jep, kurse neve jo, ndërkohë shpatat tona ende po kullojnë gjak të tyre!” - thanë të diturit nga radhët e ensarëve. Pejgamberi ﷺ tha: “Unë disave u jap, për shkak se rishtazi kanë dalë nga mosbesimi, dua t'i përfitoj ata. A nuk jeni të kënaqur që njerëzit e tjerë të largohen me pasuri, ndërsa ju të ktheheni në shtëpitë tuaja me të Dërguarin e Allahut ﷺ? Betohem në Allahun se, me çfarë ktheheni ju është më e mirë se me çfarë kthehen ata.” Ensarët thanë: “Po, o i Dërguari i Allahut, jemi të kënaqur!” Pejgamberi ﷺ u tha: “Pas meje do të hasni në anashkalim të të drejtave tuaja , por duroni, derisa ta takoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ, ndërkohë unë do të jem te Hauzi.” Enesi thotë: “Ata nuk duruan.””