“Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Muadh ibn Muadhi, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e ky nga Hisham ibn Zejd ibn Enes ibn Maliku se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Betejës së Hunejnit, fisi havazin, gatafan dhe disa fise të tjera, erdhën me devetë dhe familjet e veta. Në anën tjetër, me Pejgamberin ﷺ ishin dhjetë mijë ushtarë, ndër ta edhe të amnistuarit (e Mekës), të cilët u shpartalluan, saqë Pejgamberi ﷺ mbeti vetëm. Atë ditë ai thirri dy herë ndarazi. U kthye në të djathtë dhe thirri: “O ensarë!” - Të përgjigjemi, o i Dërguari i Allahut! Përgëzohu! Ne jemi me ty! - thanë ensarët. Pastaj, u kthye në të majtë dhe thirri: “O ensarë!” - Të përgjigjemi, o i Dërguari i Allahut! Përgëzohu! Ne jemi me ty! - thanë ensarët. Pejgamberi ﷺ ishte hipur mbi një mushkë të bardhë, andaj zbriti prej saj dhe tha: “Unë jam rob dhe i Dërguari i Allahut.” Atëherë idhujtarët u shpartalluan. Atë ditë mori shumë plaçkë lufte, të cilën ua ndau muhaxhirëve dhe të amnistuarve, ndërsa ensarëve nuk u dha asgjë. Ensarët thanë: “Kur lufta ashpërsohet, po thirremi ne, pastaj plaçka po i jepet dikujt tjetër!” Pejgamberi ﷺ u informua për këtë, andaj i mblodhi ata në një tendë dhe u tha: - “O ensarë! Çka janë këto fjalë, që po më arrijnë prej jush?” Ata heshtën. Pastaj tha: “O ensarë! A nuk jeni të kënaqur që njerëzit të kthehen me dynjanë, ndërsa ju të ktheheni me të Dërguarin e Allahut ﷺ, duke e marrë atë me vete në shtëpitë tuaja?” - Po, - thanë ensarët. Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Sikur njerëzit të shkonin nga një luginë, kurse ensarët të shkonin nga një grykë, do ta zgjidhja grykën e ensarëve.” Hishami e pyeti Enesin: “O Ebu Hamza, ti ishe dëshmitar i kësaj?” Enesi tha: “E si të mungoja unë në këtë?””