“Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e ky nga Umare ibn Kaëka ibn Shubrume, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Ebu Numi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ali ibn Ebu Talibi i dërgoi të Dërguarit të Allahut ﷺ pak ar të papërpunuar, prej Jemenit, në një trastë prej lëkure të regjur. Pejgamberi ﷺ ua ndau katër personave: Ujejne ibn Bedrit, Akra ibn Habisit dhe Zejd Hajlit, ndërsa i katërti ishte ose Alkame, ose Amir ibn Tufejli. Një burrë nga shokët e tij tha: “Ne jemi më meritorë për këtë sesa ata.” Pejgamberi ﷺ dëgjoi për këto fjalë dhe tha: “A nuk po më besoni, ndërkohë unë jam besniku i Atij që është në qiell? Mua më vjen lajmi nga qielli, mëngjes e mbrëmje.” Një njeri me sy të futur, me mollëza e ballë të dalë, mjekërdendur dhe flokërruar, me rrobë të poshtme të përvjelë, u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, kije frikë Allahun!” Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “Mjerë ti! A nuk jam më meritori nga banorët e Tokës që ta kem frikë Allahun?” Pasi që shkoi personi në fjalë, Halid ibn Velidi, tha: O i Dërguari i Allahut, a t'ia pres kokën? - “Jo, se ndoshta falet”, - tha Pejgamberi ﷺ. - Sa e sa falës të namazit thonë me gjuhën e tyre atë që nuk e kanë në zemër! - tha Halidi. - “Unë nuk jam urdhëruar t'i hap (t'i hulumtoj) zemrat e njerëzve e as t'i çaj barqet e tyre”, - tha Pejgamberi ﷺ. Pastaj, e shikoi atë duke shkuar dhe shtoi: “Nga pasardhësit e këtij do të vijnë njerëz që e lexojnë Librin e Allahut vazhdimisht, por (ky lexim) nuk arrin të kalojë përtej fyteve të tyre. Dalin prej fesë (Islamit) ashtu siç del shigjeta anë e tej gjahut.” Më duket se ka thënë: “Nëse i arrij ata, do t'i luftoj sikurse t'i luftoja popullin e Themudit.””