“Abdullah ibn Ebu Shejbe Absiu më ka thënë: Na ka treguar Ibn Idrisi, e ky nga Ismail ibn Ebu Halidi, e ky nga Kajsi se Xheriri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha në Jemen, takova dy banorë të Jemenit: Dhu Kelain dhe Dhu Amrin, të cilëve u fola për të Dërguarin e Allahut ﷺ. Dhu Amri më tha: “Nëse kjo që po e përmend për shokun tënd është e vërtetë, atëherë ai ka vdekur para tri ditësh.” Ata m'u bashkëngjitën rrugës dhe, kur arritëm në gjysmë të rrugës, takuam një grup kalorësish që vinin prej Medinës, andaj i pyetëm (për atë që përmendi Dhu Amri). Ata thanë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka vdekur dhe halif është zgjedhur Ebu Bekri, kurse njerëzit janë mirë.” Ata dy thanë: “Tregoji shokut tënd (halifit) se ne kemi vajtur dhe ndoshta do të kthehemi, në dashtë Allahu.” Kështu, ata u kthyen në Jemen, ndërsa unë i tregova Ebu Bekrit për fjalët e tyre. Ai më tha: “Sikur t'i sillje këtu. Më pas, Dhu Amri më tha: “O Xherir, unë kam një mrekulli për ty dhe po të tregoj një lajm: ju arabët do të jeni mirë, për sa kohë që, sa herë të vdesë një prijës, e vendosni tjetrin pas tij. E, kur të vendosen me shpatë, ata do të jenë mbretër, të cilët zemërohen dhe pajtohen sikurse mbretërit.””