“Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Vehb ibn Kejsani se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një ekspeditë në drejtim të bregdetit, me treqind burra, në krye të të cilëve emëroi Ebu Ubejde ibn Xherrahun. Ai rrëfen: “U nisëm për rrugë, por, kur arritëm deri diku, na u harxhuan rezervat ushqimore. Andaj, Ebu Ubejde urdhëroi të tubohen rezervat e të gjithë ushtarëve në një vend, të cilat, përafërsisht, u bënë sa dy bohçe me hurma. Çdo ditë na jepte për të ngrënë nga pak, derisa edhe kjo rezervë u harxhua, kështu që mbetëm me nga një hurmë në ditë. Vehb ibn Kejsani e pyeti Xhabirin: - Po si mund t'ia dilnit vetëm me një hurmë? - Vetëm pasi u harxhuan të gjitha kuptuam sa na kryente punë një hurmë e vetme, - tha Xhabiri dhe vazhdoi: - Kur arritëm buzë detit, hasëm një balenë sa një kodrinë, nga e cila hëngri tërë ushtria për tetëmbëdhjetë net rresht. Pastaj Ebu Ubejde urdhëroi të vendosen dy eshtra të saj e nën to të kalojë një person hipur mbi deve, për të parë vallë a e zinte a jo (gjë të cilën e bënë, për t'u argëtuar e për t'u dëfryer) dhe se ajo kaloi nën eshtra, pa e prekur.””