“Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ morëm rrugën për në Haxhin Lamtumirës dhe hymë në ihram për umre. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ai që e ka marrë kurbanin me vete, le të hyjë në ihram për haxh dhe umre e të mos lirohet nga ihrami deri në fund të haxhit.” Kur arrita në Mekë, isha me menstruacione, dhe nuk e bëra tavafin rreth Qabesë e nuk eca mes Safasë dhe Mervës, andaj iu ankova të Dërguarit të Allahut ﷺ, e ai më tha: “Shprishi flokët dhe krihu. Hyr në ihram për haxh, e lëre umrën.” Ashtu veprova. Pasi e përfunduam haxhin, i Dërguari i Allahut ﷺ më dërgoi me Abdurrahman ibn Ebu Bekër Sidikun në Tenëim për ta kryer umrën. Pasi e mbarova umrën, Pejgamberi ﷺ më tha: “Kjo është zëvendësim për umrën (e humbur) .” Ata që kishin hyrë në ihram për umre (qysh në fillim), e patën bërë tavafin rreth Qabesë, patën ecur mes Safasë e Mervës dhe ishin liruar nga ihrami. Pastaj, pasi qenë kthyer prej Minas, patën bërë edhe një tavaf. Ndërkaq, ata që e patën bashkuar haxhin me umrën, patën bërë vetëm një tavaf.””