“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Abdurrahmani, i biri i Abdullah ibn Kab ibn Malikut, e këtij i ka thënë Abdullah ibn Kab ibn Maliku, - i cili ka qenë udhëheqës i Kabit nga bijtë e tij, në kohën kur u verbua, - se Kab ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Nuk kam munguar në asnjë betejë të të Dërguarit të Allahut ﷺ, përveçse në Betejën e Tebukut. Po ashtu, pata munguar në Betejën e Bedrit, porse për mospjesëmarrjen në të nuk është qortuar askush, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ pati dalë duke synuar karvanin e kurejshëve, derisa Allahu i takoi ata me armiqtë e tyre, pa caktuar takim. Unë isha pjesëmarrës me të Dërguarin e Allahut ﷺ natën e Akabesë, kur i dhamë besën për Islam. Këtë nuk do të doja ta ndërroja me pjesëmarrjen në Bedër, edhe pse Bedri përmendet më shumë te njerëzit sesa ajo. Tregimi im është ky: Asnjëherë nuk kam qenë më i fortë e më i pasur sesa atëherë kur mungova në atë betejë. Për Allahun, para kësaj beteje asnjëherë nuk kam pasur dy deve përnjëherësh, por, ja që në këtë betejë i kisha dy. I Dërguari i Allahut ﷺ, kur shkonte në ndonjë betejë, asnjëherë nuk e tregonte vendin e saj, përveç kësaj beteje. I Dërguari i Allahut ﷺ e zhvilloi këtë betejë në vapë të madhe. Mori udhë të gjatë, nëpër shkretëtirë (të rrezikshme) dhe me armiq të shumtë, andaj muslimanëve ua shpalosi çështjen e tyre, që të përgatiteshin për t'u përballur me ta. Ai u tregoi drejtimin nga do të shkojë. Muslimanët që ishin me të Dërguarin e Allahut ishin shumë, saqë nuk mund të regjistroheshin në një libër (regjistër). Ai që donte të mungonte, mendonte se do të fshihej prej Pejgamberit ﷺ, përderisa nuk do të zbriste shpallja prej Allahut. I Dërguari i Allahut ﷺ e zhvilloi këtë betejë në kohën kur frutat u poqën dhe njerëzit i lakmonin hijet për të pushuar. I Dërguari i Allahut ﷺ përgatitej, e bashkë me të edhe muslimanët. Unë dilja për t'u përgatitur me ta, porse kthehesha pa bërë asgjë. Thosha me vete: “Hajt se mundem”, kështu që vazhdoja të vonohesha. Ndërkohë, të tjerët u përgatitën mirë. I Dërguari i Allahut ﷺ bashkë me muslimanët u përgatitën, kurse unë nuk përgatita asgjë. Thosha: “Do të përgatitem pas tij, për një ose dy ditë, e pastaj i arrij ata.” Pasi u nisën, unë dola të përgatitem, por u ktheva pa bërë gjë. Pastaj dola prapë, por u ktheva dhe nuk bëra gjë. Vazhdova të vonohesha kësisoj, kurse ata kishin shpejtuar, prandaj më iku beteja. Doja të nisesha e t'i arrija ata. Ah, sikur ta kisha bërë këtë! Mirëpo, kjo nuk më ishte caktuar. Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi, unë dilja (nëpër Medinë) te njerëzit dhe sillesha në mesin e tyre. Mërzitesha shumë, sepse shihja vetëm njerëz të zhytur në hipokrizi, ose njerëz të dobët, të cilët Allahu i arsyetoi. I Dërguari i Allahut ﷺ nuk më përmendi derisa arriti në Tebuk. Atëherë, duke qenë ulur me njerëzit në Tebuk, kishte thënë: “Çka bëri Kabi?” Një pjesëtar i fisit benu selime i kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut, e kanë penguar dy xhybet dhe soditja në trupin e tij.” Atëherë, Muadh ibn Xhebeli i kishte thënë: “Sa keq që fole, për Allahun! O i Dërguari i Allahut, për të dimë vetëm të mira.” Ndërkaq, i Dërguari i Allahut ﷺ kishte heshtur. Kur më erdhi lajmi se ai po kthehej, fillova të brengosesha, andaj mendova të gënjeja dhe thosha: “Si t'i shpëtoj hidhërimit të tij nesër?” Për këtë kërkova ndihmë nga të mençurit e familjes sime. E, kur dikush tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ është afruar (në Medinë), e kota (rrena) m'u largua dhe e dija se nuk do t'i shpëtoja me diçka që përmban gënjeshtër, andaj vendosa të isha i sinqertë me të. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ arriti, ndërkohë e kishte zakon që, kur kthehej nga udhëtimi, fillimisht shkonte në xhami, i falte dy rekate e pastaj ulej dhe i priste njerëzit. Pasi veproi kështu, i vajtën ata që nuk kishin marrë pjesë (në betejë) dhe filluan t'i arsyetoheshin duke iu betuar. Ata ishin tetëdhjetë e ca burra. I Dërguari i Allahut ﷺ ua pranoi arsyetimin e betimin dhe kërkoi falje për ta, ndërsa atë që e fshihnin, ia la Allahut. Unë i shkova dhe i dhashë selam, e ai buzëqeshi hidhërueshëm dhe tha: “Eja.” Shkova duke ecur, derisa u ula para tij, e në atë rast ai më tha: “Pse nuk erdhe? A nuk e kishe blerë kafshën?” - Ashtu është, për Allahun, o i Dërguari i Allahut! Sikur të ulesha te dikush tjetër prej banorëve të Tokës, mendoj se do të arsyetohesha për t'i shpëtuar hidhërimit të tij. Unë kam aftësi për polemikë, mirëpo, për Allahun, e di se, nëse sot të sajoj ndonjë gënjeshtër, që ti të jesh i kënaqur me mua, me siguri që Allahu do të bënte që të hidhërohesh me mua, e, nëse ta them të vërtetën, ti do të hidhërohesh me mua, porse unë shpresoj në faljen e Allahut. Jo, për Allahun, unë nuk kam pasur arsye. Për Allahun, asnjëherë nuk kam qenë më i fortë e më i pasur sesa kur mungova, - i thashë. Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ky e tha të vërtetën. Ngrihu dhe shko, derisa Allahu të gjykojë për ty.” Unë u ngrita, ndërsa disa pjesëtarë të fisit benu selime brofën, më ndoqën e më thanë: “Për Allahun, nuk dimë se ti ke bërë ndonjë mëkat para këtij. A nuk munde të arsyetoheshe tek i Dërguari i Allahut ﷺ siç iu arsyetuan ata që munguan? Mëkatit tënd do t'i mjaftonte kërkimfalja e të Dërguarit të Allahut ﷺ bërë për ty.” Për Allahun, ata vazhduan të më qortojnë, saqë doja të kthehesha e ta përgënjeshtroja veten, por u thashë atyre: “A ka dhe ndonjë tjetër si unë?” - Po, edhe dy burra kanë pohuar siç ke pohuar ti, e edhe atyre u është thënë ashtu si të është thënë ty, - më thanë. - Cilët janë ata dy? - i pyeta. - Murara ibn Rabië Amriu dhe Hilal ibn Umeje Vakifiu, - thanë ata dhe m'i përmendën dy burra të mirë, pjesëmarrës të Bedrit, që ishin shembull për të mirë. Atëherë vazhdova, pasi m'i përmendën ata dy. Prej të gjithë atyre që munguan, i Dërguari i Allahut ﷺ i ndaloi muslimanët që të na flasin neve të treve. Njerëzit na u larguan dhe e ndryshuan sjelljen (ndaj nesh), saqë edhe toka m'u bë si e huaj, si të mos ishte ajo që e njihja. Kështu qëndruam pesëdhjetë net. Dy shokët e mi qëndronin të mbyllur në shtëpitë e tyre dhe qanin, ndërsa unë isha më i ri dhe më i fortë se ata, andaj dilja dhe falesha me muslimanët. Sillesha nëpër tregje, por askush nuk më fliste. Shkoja tek i Dërguari i Allahut ﷺ teksa ishte në ndejë pas namazit, i jepja selam dhe thosha me vete: “A i lëvizi buzët për të ma kthyer selamin apo jo?” Pastaj falesha afër tij, ndërkohë që shihja tinëz, e, kur lidhesha në namaz, ai kthehej nga unë, por, kur unë kthehesha nga ai, ai kthehej tjetërkah. Pasi u zgjat ky bojkotim i njerëzve ndaj meje, shkova dhe kapërceva murin e kopshtit të Ebu Katades, - i cili ishte djali i axhës tim dhe njeriu më i dashur tek unë. - I dhashë selam, por, për Allahun, nuk ma ktheu selamin. Atëherë, unë i thashë: “O Ebu Katade! Po të bëj be në Allah, a e di se unë e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij?!” Por, ai heshti. Unë sërish iu përbeva, por ai prapë heshti, pastaj prapë iu përbeva, e ai tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Atëherë më rrodhën lotët, u ktheva dhe e kapërceva murin. Teksa ecja në tregun e Medinës, një fshatar i krishterë, banor i Shamit, i cili kishte sjellë ushqim për të shitur në Medinë, thoshte: “Kush më drejton te Kab ibn Maliku?” Kështu, njerëzit filluan të bëjnë me shenjë nga unë. Kur erdhi tek unë, më dha një shkresë nga mbreti i Gasanit, ku shkruante: “E, më pas; Jam njoftuar se shoku yt është distancuar nga ti, kurse Allahu nuk do të të lërë në një vend ku nënçmohesh dhe ku nuk të jepet e drejta. Eja te ne, të të ndihmojmë!” Pasi e lexova, thashë: “Edhe kjo është në vazhdën e sprovës.” Ia mësyva furrës dhe e dogja letrën. E, kur kaluan dyzet net prej pesëdhjetëve, erdhi një i dërguar i të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ të urdhëron të largohesh prej gruas.” - Ta shkurorëzoj atë apo ç'të bëj? - e pyeta. - Jo. Largohu prej saj e mos iu afro, - tha ai. Edhe dy shokët e mi u urdhëruan sikurse unë. Kështu, unë i thashë gruas sime: “Shko te familja jote dhe qëndro tek ata, derisa Allahu të gjykojë për këtë çështje.” Gruaja e Hilal ibn Umejes shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, Hilal ibn Umeje është shumë i vjetër dhe i varfër e ka shumë fëmijë, ndërkohë nuk ka shërbëtor. A prish punë t'i shërbej atij?” - “Jo, por të të mos afrohet” , - i tha Pejgamberi ﷺ. - Për Allahun, ai nuk ka dëshirë për asgjë. Për Allahun, ai është duke qarë që prej ditës kur i ndodhi ajo që i ndodhi e deri më sot, - tha ajo. Një familjar imi më tha: “Sikur t'i kërkoje leje të Dërguarit të Allahut ﷺ për gruan tënde ashtu siç i dha leje gruas së Hilal ibn Umejes që t'i shërbejë atij?” - Për Allahun, nuk do t'i kërkoj leje të Dërguarit të Allahut ﷺ për të dhe nuk e di çka do të më thotë i Dërguari i Allahut ﷺ, edhe nëse i kërkoj leje për këtë. Unë jam i ri, - i thashë. Pas kësaj qëndrova edhe dhjetë net, derisa u plotësuan pesëdhjetë sosh që kur i Dërguari i Allahut ﷺ i ndaloi njerëzit që të na flasin. Pasi e fala namazin e sabahut, në mëngjes të natës së pesëdhjetë, kur isha në kulmin e një prej shtëpive tona, teksa isha ulur në atë gjendje që e ka përmendur Allahu: shpirti më ishte ngushtuar dhe toka më ishte ngushtuar përkundër gjerësisë së saj, e dëgjova thirrjen e një lajmëtari që kishte hipur mbi kodrën Selë dhe thërriste me zë shumë të lartë: “O Kab ibn Malik! Përgëzohu!” Sakaq, rashë në sexhde dhe kuptova se erdhi shpëtimi. Ndërkaq, pasi i Dërguari i Allahut ﷺ e fali namazin e sabahut, lajmëroi për pranimin e pendimit tonë nga Allahu. Njerëzit filluan të na përgëzojnë dhe te të dy shokët e mi shkuan përgëzues. Njëri shpejtoi drejt meje me një kalë, kurse një tjetër, pjesëtar i fisit eslem, nxitoi e hipi në kodër. Rrjedhimisht, zëri i këtij ishte më i shpejtë sesa kali i kalorësit. Pasi më erdhi ai që ia dëgjova zërin duke më përgëzuar, i zhvesha rrobat që i kisha dhe ia vesha atij, për përgëzimin që më bëri. Për Allahun, atë ditë nuk posedoja rroba të tjera. I huazova dy rroba, i vesha dhe shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ. Njerëzit më prisnin grupe-grupe, më uronin për pendimin tim, duke më thënë: “Urime për pranimpendimin që Allahu të ka bërë ty!” Kur hyra në xhami, aty ishte i Dërguari i Allahut ﷺ ulur, ndërsa njerëzit qëndronin përreth tij. Talha ibn Ubejdullahu u ngrit drejt meje duke vrapuar, derisa më përshëndeti për dore dhe më uroi. Për Allahun, pos tij, nuk u ngrit asnjë muhaxhir, gjë që nuk ia harroj Talhait. Pasi i dhashë selam të Dërguarit të Allahut ﷺ, ndërkohë që fytyra e tij shkëlqente nga gëzimi, më tha: “Përgëzohu për ditën më të mirë që ke përjetuar, që kur të ka lindur nëna!” - A është prej teje, o i Dërguari i Allahut, apo prej Allahut? - e pyeta. - “Jo, është prej Allahut” , - u përgjigj ai. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ gëzohej, i shkëlqente fytyra, sikurse të ishte copë hëne. Ne e vërenim këtë tek ai. Kur u ula para tij, i thashë: “O i Dërguari i Allahut, meqë m'u pranua pendimi, do ta jap tërë pasurinë time, sadaka për Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “Mbaje një pjesë të pasurisë sate, sepse është më mirë për ty.” - Do ta mbaj pjesën time në Hajber, - i thashë. Pastaj i thashë: “O i Dërguari i Allahut, Allahu më shpëtoi me sinqeritet, prandaj prej pendimit tim le të jetë që të flas vetëm të vërtetën, sa të jem gjallë.” Për Allahun, nuk njoh asnjë musliman që Allahu ta ketë begatuar për fjalën e vërtetë më shumë sesa mua, që kur i kam folur të Dërguarit të Allahut ﷺ. Prej asaj dite që i kam folur të Dërguarit të Allahut ﷺ, nuk kam gënjyer asnjëherë deri më sot dhe shpresoj se Allahu do të më ruajë sa të jem gjallë. Allahu i zbriti të Dërguarit të Tij: “ Allahu me të vërtetë, pranoi pendimin e Pejgamberit, të muhaxhirëve dhe të ensarëve, të cilët shkuan pas atij në çastin e vështirë, pasi që zemrat e disa prej tyre, për një fije qenë afër shmangies, pastaj Allahu pranoi pendimin e tyre. Se, Ai, me të vërtetë, është i butë dhe i mëshirshëm ndaj tyre. (Allahu pranoi pendimin) edhe të atyre treve që patën munguar (në ushtri), dhe kjo, prej atëherë, kur toka përkundër gjerësisë së saj, atyre iu duk e ngushtë, dhe ishte shtrëngim për shpirtrat e tyre, dhe qenë të bindur se nuk ka strehim tjetër përveç Allahut, e pastaj Allahu i përgatiti ata për pendim, që të pendohen. Me të vërtetë, Allahu pranon pendimin dhe është mëshirues. O besimtarë! Kini frikë Allahun dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë!” (Teube, 117-119) Për Allahun, pasi Allahu më udhëzoi në Islam, nuk më ka dhënë begati më të madhe sesa fjalën e vërtetë që ia thashë të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe që nuk e gënjeva e të shkatërrohesha siç u shkatërruan ata që gënjyen. Kjo, se atyre që kanë gënjyer, Allahu, pasi e zbriti shpalljen, u ka thënë fjalë të rënda, që nuk ia ka thënë askujt. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ata betohen në Allahun, kur të ktheheni ju tek ata, që të shmangeni prej tyre; pra, shmanguni prej tyre! Ata janë të ndytë dhe strehimi i tyre është skëterra. Ky është dënimi për veprat e tyre. Ata ju betohen juve, që të jeni të kënaqur me ta. Nëse ju do të jeni të kënaqur me ta, Allahu, me siguri, nuk është i kënaqur me popullin ngatërrestar.” (Teube, 95-96) Ne të tre ishim ndryshe prej atyre që i Dërguari i Allahut ﷺ ua pranoi arsyetimin, pasi iu betuan atij. Ai ua pranoi betimin dhe kërkoi falje për ta, kurse çështjen e ne të treve i Dërguari i Allahut ﷺ e vonoi, derisa Allahu gjykoi për të. Në lidhje me këtë Allahu ka thënë: “(Allahu pranoi pendimin) edhe të atyre treve që patën munguar...” (Teube, 118) Kjo që e ka përmendur Allahu, nuk është se kemi munguar në betejë, por është diferencimi ynë dhe vonimi i çështjes sonë nga ata që iu betuan dhe iu arsyetuan, ndërsa Pejgamberi ﷺ ua pranoi atyre.””