“Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Sulejman ibn Bilali, e këtij i ka treguar Hisham ibn Urve, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon : “I Dërguari i Allahut ﷺ, gjatë sëmundjes së vdekjes, pyeste: “Ku jam nesër? Ku jam nesër?” , duke shpresuar ditën time. Kështu, gratë e tij i dhanë leje që të qëndrojë ku të dojë, andaj ai qëndroi në shtëpinë time derisa vdiq. Ai vdiq kur ishte dita ime sipas rendit, në shtëpinë time. Allahu ia mori shpirtin duke qenë mes gjoksit dhe prehrit tim. Pështyma e tij u përzie me pështymën time. Abdurrahman ibn Ebu Bekri hyri tek unë, me një misvak, me të cilin i pastronte dhëmbët. Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ e shikoi atë, andaj i thashë: “Ma jep misvakun, o Abdurrahman!” Ai ma dha misvakun, të cilin e preva, e kafshova e pastaj ia dhashë të Dërguarit të Allahut ﷺ. Ai i pastroi dhëmbët me të, teksa ishte i mbështetur në gjoksin tim.””