“Abdullah ibn Muniri na ka thënë: E kam dëgjuar Abdullah ibn Bekrin, e këtij i ka treguar Humejdi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Abdullah ibn Selami dëgjoi për shpërnguljen e të Dërguarit të Allahut ﷺ në Medinë, ishte në një arë duke vjelë, kështu që vajti e i tha: “Dua të të pyes për tri gjëra, të cilat i di vetëm një pejgamber.” Pastaj vazhdoi: “Cila është shenja e parë e shenjave të Kiametit? Cili është ushqimi i parë që do ta hanë banorët e Xhenetit? Si i ngjason fëmija babait dhe si u ngjason dajallarëve?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Xhibrili më lajmëroi pak më parë për këtë.” Abdullah ibn Selami tha: “Xhibrili?” Pejgamberi ﷺ tha: "Po.” Abdullahu tha: “Ai është armiku i hebrenjve nga radhët e melekëve.” Pasi Pejgamberi ﷺ recitoi ajetin: "Kush është armik i Xhibrilit? Ai e ka zbritur Kuranin në zemrën tënde me lejen e Allahut”, tha: “Shenja e parë prej shenjave të Kiametit është një zjarr që do t'i tubojë njerëzit nga lindja në perëndim. Ushqimi i parë që do ta hanë banorët e Xhenetit është shtesa e mëlçisë së balenës. Ndërkaq, ngjasimi te fëmija ndodh kur burri bën marrëdhënie me gruan dhe sperma e tij ia parakalon spermës së saj, fëmija i ngjason burrit, në të kundërtën, i ngjason gruas.” Abdullahu tha: “Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se ti je i Dërguari i Allahut.” Pastaj tha: “O i Dërguari i Allahut, hebrenjtë janë popull shpifës. Nëse marrin vesh për konvertimin tim në Islam para se t'i pyesësh, ata do të shpifin ndaj meje.” Kur hebrenjtë erdhën, Abdullahu hyri brenda dhe i Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Çfarë burri është Abdullah ibn Selami në mesin tuaj?” Ata thanë: “Më i dituri dhe biri i më të diturit ndër ne, si dhe më i miri dhe biri i më të mirit ndër ne.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Çfarë nëse Abdullahu do ta pranonte Islamin?” Ata thanë: “Allahu e ruajttë nga kjo gjë!” Kështu, Abdullahu doli para tyre dhe tha: “Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.” Ata thanë: “Ai është më i keqi dhe djali i më të keqit ndër ne!” - dhe filluan ta ofendojnë në nderin e tij. (Abdullahu) tha: “Kjo është ajo prej së cilës kisha frikë, o i Dërguari i Allahut.””