“Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve se Urve tregon: “Sa isha i ri, e pyeta Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruan e Pejgamberit ﷺ: “Fjala e Allahut Fuqiplotë: “Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s'ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre...”, (Bekare, 158) mendoj se e ka kuptimin se, nëse ndokush nuk kryen ecjen mes tyre, nuk ka kurrfarë mëkati.” Ajo më tha: “Jo, nuk është ashtu. Sikur të ishte siç thua ti, atëherë ajeti do të duhej të ishte: “... s'ka kurrfarë gjynahu nëse nuk sillet mes tyre...” Ky ajet ka zbritur për ensarët, të cilët (para Islamit) pelegrinazhin e kryenin për idhullin Menat, i cili ndodhej pranë Kudejdit. Kështu, ecjen mes Safasë dhe Mervës e konsideronin gjynah. Por, kur erdhi Islami, e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth kësaj, e në atë rast Allahu e zbriti ajetin: “Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s'ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre...” (Bekare, 158)”