“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ hipi mbi një gomar të shaluar me një mbulesë nga Fedeku, së bashku me Usame ibn Zejdin, të cilin e kishte ulur mbrapa. Ai u nis për ta vizituar Sad ibn Ubaden në fisin benu Harith ibn Hazrexh, para Luftës së Bedrit. Gjatë rrugës vajti pranë një ndeje ku ndodhej edhe Abdullah ibn Ubej ibn Seluli, i cili ende nuk e kishte pranuar Islamin. Në ndejë ndodheshin disa muslimanë e idhujtarë të tjerë: adhurues idhujsh, hebrenj e muslimanë. Aty ndodhej edhe Abdullah ibn Revaha. Kur ndejën e mbuloi pluhuri i gomarit, Abdullah ibn Ubeji e mbuloi hundën me rrobën e tij dhe tha: “Mos na pluhurosni!” Pejgamberi ﷺ u dha selam dhe zbriti. I thirri për tek Allahu dhe u lexoi Kuran. Abdullah ibn Ubej ibn Seluli tha: “O burrë, nuk ka fjalë më të mira se këto që po i thua, vetëm sikur të ishin të vërteta. Andaj, mos na pengo në ndejat tona. Kthehu në shtëpinë tënde dhe rrëfejua këto tregime atyre që të vijnë pas.” Abdullah ibn Revaha reagoi duke thënë: “Përkundrazi, o i Dërguari i Allahut! Na i pushto ndejat me të, sepse ne e duam këtë.” Kështu, muslimanët, idhujtarët dhe hebrenjtë filluan të shaheshin mes vete, saqë pothuajse iu vërsulën njëri-tjetrit. Pejgamberi ﷺ përpiqej t'i qetësonte derisa pushuan. Pastaj i hipi kafshës së vet dhe vazhdoi rrugën për te Sad ibn Ubade. Me të shkuar tek ai, i tha: “O Sad! Vallë, ke dëgjuar çfarë ka thënë Ebu Hubabi? - aludonte në Abdullah ibn Ubejin: - Ai ka thënë kështu e ashtu.” Sad ibn Ubade tha: “O i Dërguari i Allahut, fale dhe tejkaloje këtë, sepse betohem në Atë që ta ka zbritur Librin se Allahu na e ka sjellë të vërtetën nëpërmjet asaj që ta ka zbritur ty dhe këto dy fise të këtij liqeni kishin rënë në ujdi për ta kurorëzuar e për t'i dhënë post udhëheqësi. Por, kur Allahu refuzoi të bëhej kështu, duke të ta dhënë ty të vërtetën, atij iu zu fryma, prandaj veproi ashtu siç e pe dhe vetë.” Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ ia fali. Ai dhe shokët e tij i falnin idhujtarët dhe ithtarët e Librit ashtu siç i kishte urdhëruar Allahu dhe i duronin ngacmimet e tyre. Allahu i Lartësuar ka thënë: “... do të dëgjoni shumë fyerje nga ana e atyre që u është dhënë Libri para jush dhe nga paganët...” (Ali Imran, 186) Dhe ka thënë: “Shumë nga ithtarët e Librit, prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t'ju kthejnë nga besimi në mosbesim, tani që e vërteta është e qartë për ta. Por ju falini ata dhe lërini, derisa të arrijë urdhri i Allahut. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Bekare, 109) Pejgamberi ﷺ e kishte kuptuar këtë falje nga urdhri që Allahu ia kishte dhënë, (dhe me të vazhdoi) derisa Allahu ia lejoi luftimin e tyre. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ luftoi në Bedër dhe nëpërmjet tij Allahu i vrau krerët e jobesimtarëve kurejshë, Abdullah ibn Ubej ibn Seluli dhe idhujtarët e paganët që ishin me të thanë: “Po shihet nga do të shkojë kjo punë.” Prandaj ia dhanë besën të Dërguarit të Allahut ﷺ për Islam dhe e pranuan Islamin.””