“Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Mean ibn Isai, e ky nga Maliku, e ky nga Mahrame ibn Sulejmani, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Abdullah ibn Abasit, se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një natë bujti te tezja e tij, Mejmunia, gruaja e Pejgamberit ﷺ, dhe rrëfen: “Unë u shtriva në shtrat për së gjeri, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ me gruan e tij u shtrinë për së gjati. Pejgamberi ﷺ fjeti përafërsisht deri në mesnatë, ndoshta më shumë ose më pak. Kur u zgjua, filloi ta largojë gjumin nga fytyra me duar dhe i lexoi dhjetë ajetet e fundit të sures Ali Imran. Pastaj shkoi te një trastë e varur në mur dhe mori abdes prej saj duke e përsosur në formën më të mirë. Pastaj u ngrit të falej. Unë u ngrita dhe veprova njëjtë sikurse ai, pastaj i shkova pranë dhe u pozicionova anash tij. Ai ma vendosi dorën e djathtë në kokë, më kapi për veshi të djathtë dhe ma fërkoi ngadalë. I fali dy rekate, pastaj dy të tjera, pastaj dy të tjera, pastaj dy të tjera, pastaj dy të tjera, pastaj dy të tjera dhe, në fund, e fali vitrin. Më pas u shtri derisa erdhi muezini, e në atë rast u ngrit, i fali dy rekate të shkurtra dhe doli për ta falur sabahun.””