“Kutejbe ibn Seidi na ka treguar nga Maliku, e ky nga Mahrame ibn Sulejmani, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një natë bujti te tezja e tij, Mejmunia, gruaja e Pejgamberit ﷺ, dhe tregon: “Unë u shtriva në shtrat për së gjeri, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ me gruan e tij u shtrinë për së gjati.” I Dërguari i Allahut ﷺ fjeti përafërsisht deri në mesnatë, ndoshta pak më shumë a më pak. Kur u zgjua, filloi ta fshijë ftyrën me duar që të largonte gjumin dhe i lexoi dhjetë ajetet e fundit të sures Ali Imran. Pastaj shkoi te një trastë e varur në mur dhe mori abdes prej saj duke e përsosur në formën më të mirë, pastaj u ngrit të falej. Unë u ngrita dhe veprova sikurse ai, pastaj i shkova pranë dhe u pozicionova anash tij. Ai ma vendosi dorën e djathtë në kokë, më kapi për veshi të djathtë dhe ma fërkoi ngadalë. Kështu, i fali dy rekate, pastaj dy të tjera, pastaj dy të tjera, pastaj dy të tjera, pastaj dy të tjera, pastaj dy të tjera dhe, në fund, e fali vitrin. Më pas u shtri derisa erdhi muezini, e në atë rast u ngrit, i fali dy rekate të shkurta dhe doli për ta falur sabahun.””