“Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salih ibn Kejsani, e ky nga Ibn Shihabi se Urve ibn Zubejri tregon se e pyeti Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ajetin: “Nëse keni frikë se nuk mbani drejtësi ndaj jetimeve...” (Nisa, 3) Ajo iu përgjigj: “O biri i motrës sime, është fjala për jetimen, e cila jeton në shtëpinë e kujdestarit të saj dhe njëherazi me hisen e saj merr pjesë në pasurinë e tij, ndërkohë atij i pëlqen pasuria dhe bukuria e saj, andaj dëshiron të martohet me të pa qenë i drejtë në mehrin ndaj saj dhe nuk ia jep mehrin njëjtë sikurse të tjerët. Prandaj, u është ndaluar të martohen me to, përveç nëse tregohen të drejtë dhe u japin mehër aq sa u takon sipas traditës, ndërsa u është lejuar të martohen me këdo prej grave të tjera. Por, njerëzit sërish e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ (rreth kësaj çështjeje), e në atë rast Allahu e zbriti ajetin: “Ata kërkojnë prej teje (o Muhamed) që t'i sqarosh lidhur me çështjet e grave. Thuaju: “Për çështjet e tyre ju sqarojnë Allahu dhe Libri që ju lexohet, si për femrat jetime, të cilave nuk u jepni dhuratën e caktuar për to, edhe pse dëshironi të martoheni me to...” (Nisa, 127) Në këtë ajet, fjalët: “... dhe Libri që ju lexohet...” aludojnë në ajetin e përmendur pak më parë (ajetin e tretë të sures Nisa), kurse ajeti i dytë (Nisa, 127) aludojnë në atë se, përderisa dikush prej jush shmanget nga martesa me jetimen që e ka nën përkujdesje, për shkak se ajo posedon pak pasuri dhe nuk është e bukur, atëherë ju është ndaluar që të martoheni me jetimet vetëm për hir të pasurisë dhe bukurisë së tyre, përveç nëse tregoheni të drejtë (në mehër).””