“Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Abdullah Ensariu, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e këtij i ka treguar Sulejman Ebu Rexhai, i çrobëruari i Ebu Kilabes, se Ebu Kilabe rrëfen se një ditë ishte ulur mbrapa Omer ibn Abdulazizit kur të pranishmit përmendën betimin kolektiv dhe thanë se vetë halifët e mëhershëm kishin gjykuar sipas tij. Omeri u kthye nga unë, mbrapa shpinës, dhe m'u drejtua: “Çfarë thua, o Abdullah ibn Zejd!” Ose ka thënë: “O Ebu Kilabe?” - Nuk di që në Islam lejohet të vritet ndokush, përveç: personit që bën zina, i cili ka qenë i martuar më parë; personit që vret dikë padrejtësisht ose atij që lufton kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, - i thashë. - Enesi na ka rrëfyer kështu e kështu, - tha Anbese. - Vetë mua m'i ka rrëfyer ato fjalë Enesi, - i thashë dhe vazhdova: - Ai më ka thënë: “Disa njerëz erdhën te Pejgamberi ﷺ dhe i thanë: “Nuk po mund t'i bëjmë ballë klimës së këtyre trojeve.” Ai u tha: “Këto janë devetë tona, të cilat dalin për kullosë, prandaj shkoni dhe pini nga qumështi dhe urina e tyre.” Kështu, ata shkuan dhe pinë nga qumështi e urina e tyre. Si rrjedhojë, u shëruan, por e sulmuan bariun dhe e vranë, pastaj u grahën deveve (për t'i marrë). Pastaj vazhdova: “A për njerëzit e këtillë të mendohet (se çfarë duhet bërë me ta)? Ata vranë një person, luftuan kundër Allahut e të Dërguarit të Tij dhe e shqetësuan të Dërguarin e Allahut ﷺ. - Subhanallah (i Lartësuar qoftë Allahu)! - ofshau Anbese. - Po më akuzon për diçka? - i thashë dhe vazhdova: - Vetë Enesi na e ka rrëfyer këtë. Ebu Rexhai tregon se, më pas, Anbese iu drejtua banorëve të Shamit: “O banorët e Shamit, ju do të vazhdoni të jeni në mirësi përderisa Allahu dëshiron që një gjë e këtillë të gjendet në mesin tuaj.””