“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Abasi se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur vdiq Abdullah ibn Ubej ibn Seluli, Pejgamberin ﷺ e thirrën për t'ia falur xhenazen. Kur Pejgamberi ﷺ u përgatit për namaz, shpejtova tek ai dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, a po ia fal xhenazen Ibn Ubejit, ndërkohë ai filan ditën të pati thënë kështu e ashtu...?” Ia numëroja fjalët e tij. I Dërguari i Allahut ﷺ buzëqeshi dhe tha: “Largomu, o Omer!” Kur këmbëngula edhe më tej, më tha: “Më është dhënë e drejta për të zgjedhur, andaj zgjodha. Sikur ta dija se, nëse kërkoj falje më shumë se shtatëdhjetë herë do t'i falej, do ta shtoja (kërkimin e faljes) .” I Dërguari i Allahut ﷺ ia fali xhenazen dhe shkoi. Nuk kaloi shumë kohë deri në zbritjen e dy ajeteve të sures Teube: “Askujt prej hipokritëve, kur të vdesin, mos ia fal xhenazen e as mos qëndro pranë varrit të tij (për lutje), sepse ata e kanë mohuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe qëndruan të pabindur deri në vdekje.” (Teube, 84) Omeri thoshte: “Më vonë çuditesha me guximin e treguar atë ditë kundrejt të Dërguarit të Allahut ﷺ, e Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.””