“Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Ahmed ibn Ebu Shuajbi, e këtij i ka treguar Musa ibn Ajani, e këtij i ka treguar Is'hak ibn Rashidi, e këtij i ka treguar Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Abdurrahmani, i biri i Abdullah ibn Kab ibn Malikut, e ky nga babai i tij se Kab ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!), njëri ndër tre personat të cilëve iu pranua pendimi, tregon se kurrë nuk kishte munguar në betejat e të Dërguarit të Allahut ﷺ, përveç në dy sosh: në Betejën e Vështirësisë (Tebukut) dhe atë të Bedrit. Ai rrëfen: “Atë paradite vendosa të tregohem i sinqertë me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Ai, sa herë që kthehej nga udhëtimi, në qytet hynte paradite. Fillimisht ndalej në xhami dhe i falte dy rekate. Atë ditë, ua ndaloi njerëzve të më flasin mua dhe dy shokëve të mi, kurse mospjesëmarrësve të tjerë jo. Si rrjedhojë, njerëzit e evitonin bisedën me ne. Në këtë gjendje qëndrova një kohë të gjatë. Gjëja që më së shumti më brengoste ishte fakti se mund të vdisja e i Dërguari i Allahut ﷺ të mos ma falte namazin e xhenazes ose se i Dërguari i Allahut ﷺ mund të vdiste, kurse unë të mbesja në këtë gjendje që askush të mos më fliste e as të ma falte namazin e xhenazes. Allahu ia shpalli të Dërguarit të Allahut ﷺ pranimin e pendimit tonë në të tretën e fundit të natës, kur i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në shtëpinë e Umu Selemes. Umu Seleme tregonte mirësi dhe interesohej për çështjen time, prandaj Pejgamberi ﷺ i kishte thënë: “Oj Umu Seleme, Kabit iu pranua pendimi!” Ajo ia kishte kthyer: “A të dërgoj dikë për ta përgëzuar?” Pejgamberi ﷺ ia kishte kthyer: “Atëherë do t'ju pushtojnë njerëzit dhe nuk do t'ju lënë të flini.” Kur e fali sabahun, i Dërguari i Allahut ﷺ e shpalli lajmin se Allahu na e kishte pranuar pendimin. Sa herë që i përgëzonte njerëzit, atij i shndriste fytyra sikurse hëna. Kur Allahu e zbriti pranimpendimin tonë, ne qemë tre personat që kishin mbetur mbrapa (siç përmendet në ajet), kurse të tjerëve iu pranua arsyetimi. Kur u përmendën ata që mbetën mbrapa dhe e gënjyen të Dërguarin e Allahut ﷺ duke gjetur justifikime të pavërteta, u cilësuan me përshkrimin më të keq që mund t'i atribuohej ndokujt. Allahu i Lartësuar tha: “Kur të ktheheni tek ata, do t'ju vijnë duke u shfajësuar. Thuaju: “Mos kërkoni falje! Sido që të jetë, ne nuk ju besojmë, sepse Allahu na ka lajmëruar për qëllimet tuaja. Me siguri, Allahu dhe i Dërguari i Tij do t'i shohin veprat tuaja; pastaj ju do të ktheheni tek Ai, që i di gjërat e padukshme dhe të dukshme e do t'ju lajmërojë për atë që keni bërë.” (Teube, 94)”