“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Abdurrahmani, i biri i Abdullah ibn Kab ibn Malikut se Abdullah ibn Kabi, i cili e ndihmonte Kab ibn Malikun (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për të ecur pasi ishte verbuar, tregon se e ka dëgjuar Kabin të tregojë për ndodhinë e mospjesëmarrjes në Tebuk, ku, ndër të tjera, thotë: “Betohem në Allahun se nuk di që Allahu ka sprovuar ndokënd në sinqeritet sikurse mua. Qëkurse u tregova i sinqertë me të Dërguarin e Allahut ﷺ, kurrë më nuk më pati shkuar mendja të gënjej. Allahu i Madhërishëm ia shpalli të Dërguarit të Tij ﷺ ajetet: “Pa dyshim, Allahu e pranoi pendimin e të Dërguarit, të muhaxhirëve dhe të ensarëve, të cilët shkuan pas atij në çastin e vështirë, pasi zemrat e disave prej tyre për një fije qenë afër shmangies (nga detyra), pastaj Allahu pranoi pendimin e tyre. Vërtet, Ai është i Butë dhe i Mëshirshëm me ta. Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve, që mbetën prapa atëherë, kur toka, sado e gjerë, iu duk e ngushtë dhe iu shtrënguan shpirtrat, aq sa u bindën se nuk ka strehim tjetër përveç Allahut e pastaj Allahu u dha mëshirë që të pendohen. Me të vërtetë, Allahu pranon pendimin dhe është Mëshirëplotë. O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” (Teube, 117-119)”