“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ibn Sebaku se Zejd ibn Thabit Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), njëri nga ata që e shkruanin shpalljen, rrëfen: “Pas Betejës së Jemames, Ebu Bekri dërgoi dikë për të më thirrur. I pranishëm ishte edhe Omer ibn Hatabi. Ebu Bekri më tha: “Omeri po më thotë se gjatë Betejës së Jemames janë vrarë shumë njerëz, andaj kam frikë se, nëse vazhdon kështu edhe nëpër vende të tjera duke u vrarë shumë hafëzë, mund të humbë një pjesë e konsiderueshme e Kuranit, përveç nëse e tuboni në një vend. Prandaj, mendoj se është e udhës ta tubosh Kuranin në një vend.” Ebu Bekri vazhdoi: “I thashë Omerit: “Vallë, si të bëj diçka që i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e ka bërë?!” Omeri më tha: “Betohem në Allahun se kjo do të jetë punë e mirë.” Kështu, Omeri vazhdoi të këmbëngulte në këtë, derisa Allahu ma mbushi mendjen dhe u binda njëjtë siç ishte bindur Omeri. Zejdi tregon: “Omeri rrinte ulur pa folur asgjë. Ebu Bekri më tha: “Ti vërtet je një djalosh i mençur, në të cilin nuk kemi asnjë vërejtje dhe e shkruaje shpalljen për Pejgamberin ﷺ. Prandaj, gjurmo pjesët e Kuranit dhe tuboji!” Betohem në Allahun se, sikur të më ngarkonin të lëvizja një kodër, do ta kisha më të lehtë sesa këtë detyrë që ma dha për tubimin e Kuranit. Thashë: “Si ka mundësi të veproni një punë që i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e ka bërë?!” Ai më tha: “Betohem në Allahun se kjo do të jetë një punë e mirë.” Ebu Bekri vazhdimisht më nxiste derisa Allahu ma mbushi mendjen të bindem siç ishte bindur ai dhe Omeri. Kështu, fillova t'i kërkoj pjesët e Kuranit (të cilat ishin shkruar) nëpër lëkura, eshtra, lëvozhga të drurëve, si dhe pjesët që sahabët i kishin mësuar përmendsh dhe t'i tuboj në një vend. Dy ajete të sures Teube i gjeta (të shkruara) vetëm te Huzejme Ensariu, e tek askush tjetër. Është fjala për ajetet: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët. Nëse ata largohen (nga e vërteta), thuaj: “Më mjafton Allahu, s'ka të adhuruar të denjë përveç Tij. Unë mbështetem tek Ai që është Zot i Fronit të Madh!” (Teube, 128) Fletushkat në të cilat u tubua Kurani mbetën tek Ebu Bekri derisa vdiq, pastaj tek Omeri derisa vdiq, pastaj te Hafsa, e bija e Omerit. Transmetimin e Shuajbit e fuqizon Othman ibn Omeri dhe Lejthiu nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi. Lejthiu ka thënë: “Më ka treguar Abdurrahman ibn Halidi nga Ibn Shihabi, i cili ka thënë: “(Dy ajetet i gjeta) tek Ebu Huzejme Ensariu.” Ndërkaq, Musai transmeton nga Ibrahimi: “Na ka treguar Ibn Shihabi: “Tek Ebu Huzejme.” Këtë të fundit e fuqizon edhe Jakub ibn Ibrahimi nga babai i tij. Ebu Thabiti ka thënë: “Na ka treguar Ibrahimi, i cili thotë: “Te Huzejme ose tek Ebu Huzejme.””