“Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari se Seid ibn Xhubejri tregon se i ka thënë Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Neuf Bikaliu pretendon se Musai, në historinë e Hidrit, nuk është i njëjti me Musain e benu israilëve.” Ibn Abasi ia ktheu: “Ka gënjyer, armiku i Allahut! Ubej ibn Kabi më ka treguar se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Musai u mbajti një ligjëratë benu israilëve dhe dikush e pyeti: “Kush është njeriu më i ditur?” Ai tha: “Unë.” Si rrjedhojë, Allahu e qortoi pse nuk ia kishte atribuuar diturinë Atij dhe i shpalli: “Në vendin ku bashkohen dy detet është një rob Imi që është më i ditur se ti.” Musai tha: “O Zoti im, si mund të arrij tek ai?” I tha: “Merr një peshk dhe vendose në një shportë. Te vendi që e humb peshkun, do ta gjesh këtë njeri.” Kështu, Musai mori një peshk, e vendosi në një shportë dhe u nis bashkë me shërbëtorin e tij, Jusha ibn Nunin. Kur arritën te një shkëmb, u shtrinë dhe fjetën. Peshku, duke lëvizur, doli nga shporta e ra për në det dhe: “Mori rrugën e vet si (strofull) në det.” (Kehf, 61) Allahu e ndali rrjedhën e ujit dhe vendi u bë si një tunel . Me t'u zgjuar, shoqëruesi i Musait harroi ta njoftojë atë për peshkun, andaj vazhduan rrugën gjatë gjithë natës dhe një pjese të ditës, derisa, të nesërmen, Musai i tha djaloshit: “Na e shtro ushqimin, sepse jemi lodhur nga ky udhëtim.” (62) Musai nuk e kishte ndier lodhjen derisa e kaloi vendin që Allahu ia kishte përcaktuar (për ta takuar Hidrin) . Djaloshi i tha: “Të kujtohet shkëmbi tek i cili pushuam? Aty e kam harruar peshkun. Shejtani ishte ai që më bëri ta harroj. Ndërkaq, peshku mori rrugën nga deti në mënyrë të habitshme.” (63) Pra, peshku rrëshqiti ngadalë, gjë e cila i habiti ata. Musai i tha djaloshit: “Këtë po prisnim.” Kështu, u kthyen mbrapa duke i përcjellë gjurmët e veta.” (64) U kthyen nga kishin ardhur dhe, kur arritën te shkëmbi, panë një njeri të mbështjellë me një rrobë. Pasi Musai ﷺ e përshëndeti me selam, Hidri i tha: “E prej nga të paskemi ty me këtë përshëndetje?” - Unë jam Musai. - Musai i benu israilëve? - pyeti Hidri. - Po, - tha Musai, - kam ardhur të më mësosh diçka prej urtësive të tua. - “Ti nuk mund të durosh dot me mua!” (67) O Musa, unë kam dije që ma ka mësuar Allahu e që ti nuk e ke, por edhe ti ke dituri që ta ka mësuar Allahu, të cilën unë nuk e kam, - i tha Hidri. - “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu, e nuk do të të kundërshtoj për asgjë” , (69) - i tha Musai. - “Nëse vjen pas meje, mos më pyet për asgjë, derisa të ta shpjegoj unë!” (70) - iu drejtua Hidri. U nisën duke ecur nëpër bregdet dhe, në rrugë e sipër, afër tyre lundroi një anije. Drejtuesve të anijes i kërkuan të hipnin në të dhe, ngaqë ata e njohën Hidrin, i pranuan të hipnin pa pagesë. Me të hipur në anije, Hidri ia mësyu një dërrase të anijes me sëpatë dhe e nxori nga vendi. Musai i tha: “Këtyre që na mbartën pa kurrfarë pagese ua shkatërrove anijen: “... për t'i fundosur njerëzit në të. Vërtet bëre një punë të keqe.” (71) Hidri tha: “A të kam thënë se nuk do të kesh durim me mua?” (72) Musai ia ktheu: “Mos më qorto, sepse harrova, dhe mos më ngarko me vështirësi në këtë çështje.” (73) Pejgamberi ﷺ tha: "Hera e parë ishte për shkak të harresës së Musait. Ndërkohë, një zog zbriti në një skaj të anijes dhe u ul e piu dy-tri herë ujë deti me sqepin e tij. Hidri i tha Musait ﷺ: “O Musa! Dituria ime dhe jotja në raport me diturinë e Allahut shëmbëllen më ujin që ky zog ia pakësoi detit.” Me të zbritur nga anija, duke ecur pranë bregdetit, kaluan pranë një djaloshi, që po lozte me disa të tjerë. Hidri iu afrua fëmijës dhe me dorën e tij ia këputi kokën. Musai i tha: “More një shpirt të pafajshëm, pa asnjë arsye? Vërtet bëre një punë të shëmtuar.” (74) Hidri ia ktheu: “A nuk të kam thënë se nuk mund të kesh durim me mua?” (75) Pejgamberi ﷺ tha: "Kjo ishte më e rëndë se e para. Musai iu drejtua: “Nëse edhe një herë të pyes diç, mund të refuzosh shoqërimin tim, tashmë ke arsye për këtë.” (76) Sërish vazhduan rrugën derisa arritën te një fshat, banorëve të të cilit u kërkuan konak, por ata nuk i pranuan. Aty hasën një mur, i cili veç sa nuk rrëzohej. Hidri shkoi dhe e drejtoi me dorë. Musai iu drejtua: “ Një populli që, kur erdhëm, as na dhanë për të ngrënë, as na bënë konak (ti po ua rregullon murin) ? “Po deshe, mund t'u kërkosh pagesë për këtë shërbim.” (77) Hidri i tha: “Këtu duhet të ndahemi unë dhe ti. Unë do të t'i shpjegoj ato gjëra për të cilat nuk munde të durosh. Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e disa të varfërve, që punonin në det. Unë desha ta dëmtoj, sepse prapa tyre gjendej një mbret i cili merrte me dhunë çdo anije të mirë. Sa për djaloshin, prindërit e tij ishin besimtarë. Ne e dinim se (dashuria për të) do t'i çonte ata në të keqe e mohim dhe dëshiruam që Zoti i tyre, në vend të atij t'u jepte një më të mirë, më të pastër dhe më të mëshirshëm. E, sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt. Unë këtë nuk e kam bërë sipas gjykimit tim. Ky është shpjegimi i asaj, për të cilën ti s'munde të duroje!” (78-82) Pejgamberi ﷺ tha: “Ah, sikur Musai të duronte edhe më tutje, do të mësonim më shumë prej rrugëtimit të tyre.” Seid ibn Xhubejri thotë se këto dy ajete (të sures Kehf) Ibn Abasi i lexonte si në vijim: “... sepse prapa tyre gjendej një mbret i cili merrte me dhunë çdo anije të mirë.” Ndërsa ajetin tjetër e lexonte: “Sa për djaloshin, ai ka qenë jobesimtar.””