“Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Jala ibn Muslimi dhe Amër ibn Dinari se Seid ibn Xhubejri tregon: “Ishim në shtëpinë e Ibn Abasit kur na tha: “Më pyetni!” Unë i thashë: “O Ebu Abas, Allahu më bëftë kurban për ty! Në Kufe është një burrë rrëfyes, të cilin e quajnë Neuf. Ai pretendon se (Musai në tregimin e Hidrit) nuk është Musai i benu israilëve.” Ibn Abasi u përgjigj: “Ka gënjyer armiku i Allahut! Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) më ka rrëfyer se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Një ditë, Musai, i dërguari i Allahut ﷺ, u ligjëroi njerëzve, saqë sytë u rrodhën lot dhe zemrat iu zbutën. Kur nisi të largohej, një burrë e ndali dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, a ka në Tokë njeri më të ditur se ti?” Ai u përgjigj: “Jo.” Por, më pas u qortua pse diturinë nuk ia atribuoi Allahut dhe iu tha: “Nuk është ashtu.” Musai pyeti: “O Zoti im, e ku është ai (njeri më i ditur) ?” Allahu iu përgjigj: “ Në vendin ku takohen dy detet .” Musai vazhdoi: “O Zoti im, më bëj një shenjë, që ta di ku është ai vend.” Allahu Fuqiplotë i tha: “Në vendin ku të humb peshku, - ose ka thënë: - Merr një peshk të ngordhur dhe ndalu aty ku peshku do të ringjallet.” Kështu, Musai mori një peshk, e vendosi në një shportë dhe iu drejtua shoqëruesit të vet: “Po të ngarkoj vetëm me këtë detyrë: të më njoftosh kur peshku të humbë.” Ai ia ktheu: “Nuk më ke ngarkuar me diçka të rëndë.” Në këtë aludon fjala e Allahut të Lartësuar: “Kur Musai i tha djaloshit që e shoqëronte...” (Kehf, 60) Pra, fjala është për Jusha ibn Nunin. Teksa ndodheshin nën hijen e një shkëmbi, në një vend me lagështi, peshku filloi të lëvizë (rrësqasë) , por djaloshi tha: “Nuk do ta zgjoj (Musain) , derisa t'i dalë gjumi vetë.” Më pas, harroi ta njoftojë për atë që kishte ndodhur. Kështu, peshku rrëshqiti derisa ra në det. Allahu e ndali rrjedhën e ujit dhe gjurmët e tij mbetën si në gur. - Amri (njëri prej transmetuesve) thotë: “Pra, në këtë formë" - dhe formoi një rreth me gishtat e mëdhenj dhe ata tregues të të dyja duarve. - (Musai tha:) “Ky udhëtim na molisi.” (62) Djaloshi i tha: “Allahu të ka kursyer nga lodhja.” Pastaj u kthyen nga kishin ardhur, për ta gjetur Hidrin mbi një shtrojë të gjelbër, në mes të detit, të mbështjellë me një pelerinë, njërin skaj nën këmbë e tjetrin nën kokë. Musai e përshëndeti me selam dhe ai e zbuloi fytyrën e tha: - Ka paqe në trojet e mia? Kush je ti? - Unë jam Musai. - Musai i benu israilëve? - Po. - Për çfarë ke ardhur? - pyeti Hidri. - Kam ardhur të më mësosh nga urtësia jote. - A nuk po të mjafton që Tevrati është në duart e tua dhe po të vjen shpallja, o Musa? Unë posedoj dituri që ti nuk e di dhe ti posedon dituri që unë nuk e di, - tha Hidri. Një zog u ul dhe me sqepin e tij piu ujë në det, e në atë rast Hidri tha: “Betohem në Allahun se dituria ime dhe jotja, në raport me diturinë e Allahut, janë sikurse këto pika uji që ky zog i mori me sqepin e tij nga deti.” Pasi hipën në anije, panë njerëz me anije të vogla që i bartnin udhëtarët nga njëra anë e detit në tjetrën. Pronarët e anijes e njohën Hidrin dhe thanë: “Robi i mbarë i Allahut (Hidri) . Nuk do t'i marrim pagesë për ta bartur.” Hidri prishi një pjesë të anijes dhe vendosi disa hunj në atë vend (për ta arnuar) . Musai i tha: “... e hape vrimën për t'i mbytur udhëtarët e saj? Me të vërtetë, ke bërë punë shumë të keqe.” (71) Hidri ia ktheu: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?” (72) Pejgamberi ﷺ tha: “Ndërhyrja e parë qe nga harresa, e dyta e kushtëzuar, kurse e treta e qëllimshme. Musai u përgjigj: “Mos më qorto se harrova dhe mos më ngarko me vështirësi në punët e mia!” (73) Pastaj: “... takuan një djalosh, të cilin ai (Hidri) e vrau.” (74) Pra, takuan disa fëmijë duke lozur dhe Hidri mori një djalosh jobesimtar zbavitës, e shtriu përtokë dhe ia hoqi kokën me shpatë. Musai iu drejtua: “Përse vrave një njeri të pafajshëm që nuk ka vrarë askënd?!” (74) Vazhduan rrugën ku gjetën një mur: “... që veç sa s'ishte rrëzuar dhe Hidri e drejtoi.” Musai i tha: “Po deshe, mund të marrësh shpërblim për këtë.” (77) Seidi thotë: “Në ajetin: “... prapa tyre gjendej një mbret i cili merrte me dhunë çdo anije të mirë” thonë se fjala është për mbretin Huded ibn Budedi, kurse djaloshi të cilin e vrau Hidri thonë se quhej Hajsur.” “Hidri tha: “... prapa tyre gjendej një mbret i cili merrte me dhunë çdo anije të mirë” , (79) prandaj desha që, kur ata të kalojnë pranë tij me anijen e tyre, ai të mos ua marrë për shkak të prishjes që kishte. Pasi ta kalonin atë vend, ata do ta rregullonin dhe do të vazhdonin ta përdornin. Sa për djaloshin: “... prindërit e tij ishin besimtarë” , kurse ai vetë ishte jobesimtar: “Ne e dinim se do t'i çonte ata në të keqe dhe mosbesim.” (80) Pra, dashuria e tyre për të do t'i shtynte që ta pasonin fenë e tij: “... dhe dëshiruam që Zoti i tyre, në vend të tij t'u jepte një më të mirë e më të pastër.” (81) Këto i tha si përgjigje për fjalët e Musait: “Përse vrave një njeri të pafajshëm... ”, si dhe Zoti do t'i furnizojë me një: “... më të mëshirshëm për ta. ” Pra, ata do të jenë më të mëshirshëm ndaj tij sesa ndaj të parit që Hidri e vrau. Disa transmetues të tjerë përmendin se fëmija me të cilin u furnizuan pastaj ishte vajzë.””