“Kutejbe ibn Seidi më ka thënë: Më ka treguar Sufjan ibn Ujejne, e ky nga Amër ibn Dinari se Seid ibn Xhubejri tregon: “Ibn Abasit i thashë: “Neuf Bekaliu po pretendon se Musai, i dërguari i Allahut, nuk është i njëjti me Musain në tregimin e Hidrit.” Ai u përgjigj: “Ka gënjyer armiku i Allahut! Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) na ka treguar se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Musai u ligjëroi benu israilëve dhe dikush i tha: “Kush është njeriu më i ditur?” Ai tha: “Unë.” Prandaj Allahu e qortoi pse nuk ia atribuoi diturinë Atij dhe i shpalli: “Përkundrazi, një rob Imi te vendi ku bashkohen dy detet, është më i ditur se ti.” Musai pyeti: “O Zoti im, e si të shkoj tek ai?” Ai iu përgjigj: “Vendos një peshk në një shportë dhe te vendi që e humb atë, ndiqe.” Kështu, Musai, së bashku me shërbëtorin e tij, Jusha ibn Nunin, morën rrugën me peshkun me vete. Kur arritën te një shkëmb, u ndalën për të pushuar. Musai vendosi kokën dhe fjeti. Nga poshtë shkëmbit dilte një burim uji që quhej Gjallëria. Çdo gjë që uji i tij përshkonte, gjallërohej. Edhe peshkun e preku një pjesë e atij uji. Si rrjedhojë, peshku filloi të lëvizë dhe rrëshqiti nga shporta e hyri në det. Kur Musai u zgjua: “... i tha shoqëruesit të vet: “Na jep drekën tonë, sepse jemi lodhur nga ky udhëtimi ynë.” (Kehf, 62) Derisa e kaloi vendin ku duhej të ndalej nuk ndjeu lodhje asnjëherë. Shoqëruesi, Jusha ibn Nuni, i tha: “Të kujtohet shkëmbi tek i cili pushuam? Aty e kam harruar peshkun. Shejtani ishte ai që më bëri ta harroj.” Ndërkaq, çuditërisht peshku iku në det.” (63) Rrjedhimisht, ata u kthyen mbrapa nga kishin ardhur, ku gjetën vendin që kishte përshkuar peshku në det, në formë rrethi. Pra, shërbëtori ishte çuditur teksa peshku kishte rrëshqitur. Kur u kthyen te shkëmbi, takuan një burrë të mbështjellë me një rrobë. Musai e përshëndeti me selam, por ai ia ktheu: - Prej nga ky selam? - Unë jam Musai. - Musai i benu israilëve? - pyeti Hidri. - Po, - tha Musai, - vallë, më lejon të vij me ty të më mësosh nga urtësia jote? - O Musa, ti posedon dituri që Allahu ta ka dhënë, të cilën unë nuk e di, si dhe unë posedoj dituri që Allahu ma ka dhënë, të cilën ti nuk e di, - ia ktheu Hidri. - Megjithatë, dua të vij me ty, - këmbënguli Musai. - “Nëse vjen me mua, mos më pyet për asgjë pa të treguar vetë”, - i tha Hidri. Kështu, u nisën rreth bregdetit. Teksa po ecnin, një anije kaloi pranë, pronarët e së cilës e njihnin Hidrin, prandaj i morën në bord të anijes pa pagesë. Ndërkohë, një zog u ndal në skaj të anijes dhe e zhyti sqepin në det, e në atë rast Hidri iu drejtua Musait: “Dituria ime, jotja dhe e të gjitha krijesave, në raport me diturinë e Allahut, është sa uji që mund të bartë sqepi i këtij zogu.” Papritur, Hidri ia mësyu një sqepari dhe e prishi me të anijen. Musai i tha: “Këtyre që na mbartën pa kurrfarë pagese shkove: “... ua shkatërrove anijen për t'i fundosur njerëzit në të? Vërtet bëre një punë të keqe.” (71) Vazhduan rrugën, ndërkohë takuan një djalosh duke luajtur me ca të tjerë. Hidri e mori dhe ia preu kokën, e në atë rast Musai iu drejtua: “Përse vrave një njeri të pafajshëm që nuk ka vrarë askënd?! Vërtet që ke bërë një punë të tmerrshme!” Ai u përgjigj: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?” Musai tha: “ Nëse pas kësaj do të të pyes sërish për çfarëdo gjëje, atëherë mos më mbaj më në shoqërinë tënde! Tashmë ke arsye (të mjaftueshme) nga ana ime (për t'u ndarë prej meje)!” Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa arritën në një fshat dhe u kërkuan banorëve të tij, që t'u jepnin për të ngrënë, por ata nuk i pranuan mysafirë. Aty ndeshën një mur që ishte duke u rrëzuar” (74-77) dhe Hidri e drejtoi me dorë. Musai tha: “Kur erdhëm në këtë fshat, ata as na bënë konak e as na dhanë për të ngrënë: “... sikur të doje, mund të kërkoje shpërblim për këtë.” Hidri tha: “Kjo është ndarja ndërmjet meje dhe teje.” Unë do të t'i shpjegoj ty ato gjëra për të cilat nuk munde të durosh.” (77-78) I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ah sikur Musai të kishte pak durim që të mësonim më shumë prej ndodhisë së tyre.” Seid ibn Xhubejri thotë se këto dy ajete (të sures Kehf) Ibn Abasi i lexonte si në vijim: “... prapa tyre gjendej një mbret i cili merrte me dhunë çdo anije të mirë.” Ndërsa ajetin tjetër e lexonte: “Sa për djaloshin, ai ka qenë jobesimtar.””