“Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Ebu Salihu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartësuar në Ditën e Kiametit do të thotë: - O Adem! - Po të përgjigjem me shumë kënaqësi, o Zoti ynë! - thotë Ademi. Atëherë do të thirret me zë: “Allahu po të urdhëron që të nxjerrësh (të ndash) prej pasardhësve të tu grupin e Zjarrit.” - O Zoti im, e cilët janë grupi i Zjarrit? - pyet Ademi. - Në çdo një mijë, nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë (janë banorë të Zjarrit) , - i thotë Allahu Fuqiplotë. Atë ditë, shtatzëna do të hedhë barrën e saj, e edhe fëmija do të thinjet: “... Njerëzit do t'i shohësh si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” (Haxh, 2) Të pranishmëve kjo u erdhi shumë rëndë, saqë iu ndryshuan edhe fytyrat. Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Nga radhët e jexhuxhëve dhe mexhuxhëve janë nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë, kurse një është nga radhët tuaja. Pastaj ju (banorët e Xhenetit) , në mesin e njerëzve, jeni sikurse një qime e zezë në lëkurën e një kau të bardhë, ose si një qime e bardhë në lëkurën e një kau të zi. Unë shpresoj se ju do të jeni çereku i banorëve të Xhenetit.” Ne bëmë tekbir. Pastaj ai tha: “Një e treta e banorëve të Xhenetit.” Ne bëmë tekbir. Pastaj Pejgamberi ﷺ tha: “Gjysma e banorëve të Xhenetit.” Ne bëmë tekbir.”