“Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Adiu, e ky nga Hisham ibn Hasani, e këtij i ka treguar Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Hilal ibn Umeje e akuzoi bashkëshorten e vet te Pejgamberi ﷺ se kishte diçka me Sherik ibn Sahmain. Pejgamberi ﷺ i tha: “Ose sill dëshmi, ose prite dënimin në shpinën tënde!” Ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Njeriu e sheh burrin e huaj mbi gruan e vet e të dalë të kërkojë dëshmitarë?” Por, Pejgamberi ﷺ vazhdoi: “Ose sill dëshmi, ose prite dënimin në shpinën tënde!” Hilali tha: “Për Atë, që të dërgoi me të vërtetën, unë po e them të vërtetën dhe Allahu do të zbresë shpallje e cila do ta shfajësojë (shpëtojë) shpinën time nga dënimi.” Kështu, Xhibrili zbriti dhe ia shpalli ajetet: “Nëse një burrë e akuzon gruan e tij pa pasur dëshmitarë të tjerë përveç vetes, ai duhet të betohet në Allahun katër herë, se thotë të vërtetën, dhe herën e pestë të kërkojë mallkimin e Allahut ndaj vetes, nëse ka gënjyer. Ndërsa gruaja do të kursehet nga dënimi, nëse betohet për Allahun katër herë, se i shoqi është gënjeshtar dhe, herën e pestë, të kërkojë hidhërimin e Allahut ndaj vetes, nëse i shoqi ka thënë të vërtetën.” (Nur, 6-9) Atëherë Pejgamberi ﷺ u nis dhe dërgoi dikë ta thërrasë gruan e Hilalit. Kështu, Hilali erdhi dhe dëshmoi (kundër saj), ndërsa Pejgamberi ﷺ u thoshte: “Allahu e di se njëri prej jush është gënjeshtar, por cili prej jush po pendohet?” Më pas, edhe ajo u ngrit dhe dëshmoi (për pafajësinë e vet), e, kur erdhi te dëshmia e pestë, e ndalën dhe i thanë: “Kjo e obligon (dënimin e rëndë).” Ibn Abasi tha: “Ajo u ndal dhe (sikur) u kthye, saqë ne menduam se ajo u tërhoq, por pastaj tha: “Unë nuk do ta turpëroj fisin tim kurrë”, - dhe vazhdoi (betimin). Pas kësaj Pejgamberi ﷺ tha: “Shikojeni atë, nëse e lind fëmijën me sy të zi, me vithe të mëdha dhe më kërcinj të plotë, fëmija është i Sherik ibn Sahmanit.” Kështu, ajo e lindi fëmijën siç e përshkroi Pejgamberi ﷺ, e në atë rast ai tha: “Sikur të mos ishte ajo që kaloi (gjykimi) me Librin e Allahut, do të sillesha me të ndryshe (pra, do ta gurëzoja) .””