“Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Amër ibn Murra, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur zbriti ajeti: “Tërhiqua vërejtjen farefisit tënd më të afërt ” , (Shuara, 214) Pejgamberi ﷺ hipi mbi Safa dhe thirri: “O benu fihër, o benu adijë!” - duke i thirrur lozet e fisit kurejsh, derisa u tubuan. E, nëse dikush nuk mund të dilte, dërgonte dikë për të parë çfarë po ndodhte. Kur erdhi Ebu Lehebi dhe kurejshët, Pejgamberi ﷺ u tha: “Çfarë mendoni, sikur t'ju njoftoja se një ushtri kalorësish prapa kësaj lugine po bëhet gati t'ju sulmojë, a do të më besonit?” - Po. Prej teje kemi marrë gjithmonë të vërtetën, - i thanë ata. - “Atëherë, unë po ju paralajmëroj për një dënim të rëndë!” - u tha Pejgamberi ﷺ. Atëherë Ebu Lehebi iu drejtua: “Qofsh i shkatërruar përgjithmonë! A për këtë na tubove?!” Në këtë rast zbriti ajeti: “Qofshin të shkatërruara duart e Ebu Lehebit, e ai tashmë është shkatërruar! Atij nuk i bëri dobi pasuria e vet, as ajo çka fitoi!” (Mesed, 1-2)”