“Is'haku më ka thënë, se transmeton nga Xheriri, e ky nga Ebu Hajani, e ky nga Ebu Zura se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Një ditë, teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në mesin e njerëzve, erdhi një burrë dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, ç'është imani?” Ai u përgjigj: “Imani është të besosh në Allahun, melekët e Tij, Ditën e Takimit me Të, të dërguarit e Tij dhe të besosh ringjalljen.” Pastaj pyeti: “Ç'është Islami?” Pejgamberi ﷺ u përgjigj: “Islami është ta adhurosh Allahun pa i bërë ortak asgjë, ta falësh namazin, ta japësh zekatin e obliguar dhe ta agjërosh Ramazanin.” Pastaj pyeti sërish: “O i Dërguari i Allahut, ç'është ihsani?” Pejgamberi ﷺ u përgjigj: “Ihsani është ta adhurosh Allahun sikurse të jesh duke e parë, ndonëse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.” Pastaj pyeti: “O i Dërguari i Allahut, kur do të bëhet Kiameti?” Pejgamberi ﷺ u përgjigj: “As i pyeturi, as pyetësi nuk dinë gjë për këtë. Megjithatë, po të tregoj për shenjat e tij: kur robëresha ta lindë zonjën e vet, kjo është prej shenjave, si dhe kur të zbathurit e zhveshur të bëhen udhëheqës të njerëzve, edhe kjo është prej shenjave. Kiameti është një prej pesë gjërave që nuk i di askush përveç Allahut.” Pastaj, Pejgamberi ﷺ e recitoi ajetin: “Pa dyshim, vetëm Allahu e di çastin e Kiametit. Ai e zbret shiun dhe e di ç'ka në barkun e shtatzënës...” (Lukman, 34) Kur burri në fjalë u largua, Pejgamberi ﷺ tha: “Kthejeni!” Por, kur dolën ta kërkojnë, nuk panë asgjë. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ky ishte Xhibrili. Erdhi t'ua mësojë njerëzve fenë e tyre.””