“Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Abdulaziz ibn Suhejbi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ u martua me Zejnebe bint Xhahshin, bëri gosti me bukë dhe mish. Mua më dërguan t'i thërras njerëzit për në gosti. Kështu, vinte një grup, të cilët hanin, pastaj dilnin. Më pas vinte një grup tjetër, të cilët hanin, pastaj dilnin. Kësisoj unë i thirra të gjithë, saqë më nuk gjeta kë të thërras. Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, nuk po gjej më kë të thërras.” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Ngrijeni ushqimin (sofrën) .” Tre persona vazhduan të qëndronin në shtëpi duke biseduar, prandaj Pejgamberi ﷺ doli dhe shkoi te shtëpiza e Aishes e i tha: “Es selamu alejkum ve rahmetullah, oj familja ime!” Aishja ia ktheu: “Ve alejkes selam ve rahmetullah, si t'u duk bashkëshortja (Zejnebja)? Allahu të begatoftë!” Kështu, ai i vizitoi të gjitha dhomat e grave të tij dhe të gjithave u thoshte ashtu siç i tha Aishes, po edhe ato i thoshin njëjtë, sikurse Aishja. Pejgamberi ﷺ u kthye, porse ata tre personat ende po qëndronin në shtëpi duke biseduar. Pejgamberi ﷺ ishte shumë i turpshëm, andaj sërish shkoi te dhoma e Aishes. Nuk më kujtohet nëse i tregova unë apo dikush tjetër se personat në fjalë kishin dalë. Atëherë Pejgamberi ﷺ u kthye dhe, kur vendosi njërën këmbë në prag të derës, ndërsa tjetrën ende e kishte jashtë, e lëshoi perden mes meje e tij dhe zbriti ajeti i hixhabit.””