“Zekerija ibn Jahjai më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pasi u obligua hixhabi, Sevda doli për disa nevoja të veta. Ajo ka qenë grua shtatgjatë, kështu që, kushdo që e njihte, mund ta dallonte. Kur e pa Omer ibn Hatabi, i tha: “Oj Sevdë, për Allahun, ne po të njohim, shiko si po del!” Në atë rast Sevda u kthye menjëherë. Ndërkohë, i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në shtëpinë time duke darkuar dhe në dorë kishte një copë ashti me mish. Sakaq, ajo hyri dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, unë dola për disa nevoja të miat, ndërkaq Omeri më tha kështu e kështu.” Atëherë Allahu zbriti shpalljen dhe, me të mbaruar, duke pasur copën e mishit në dorë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ju është lejuar të dilni për nevojat tuaja.””