“Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Mensuri, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Ebu Mameri se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Dy kurejshë dhe një thekifas ose dy thekifas dhe një kurejsh, barkmëdhenj e mendjetrashë, ishin mbledhur te Qabeja dhe njëri prej tyre tha: “A mendoni se Allahu na dëgjon çfarë flasim?” Tjetri iu përgjigj: “Na dëgjon nëse flasim me zë, porse nuk na dëgjon nëse flasim fshehurazi (me zë të ulët).” Ndërkaq, i fundit tha: “Nëse na dëgjon kur flasim me zë, atëherë na dëgjon edhe kur flasim fshehurazi.” Atëherë Allahu i Lartësuar e zbriti ajetin: “Ju nuk fshiheshit (kur bënit mëkate në dynja) duke menduar se nuk do të dëshmojnë kundër jush të dëgjuarit, të parët dhe lëkurat tuaja, bile ju menduat se Allahu nuk di shumë gjëra që ju bënit.” (Fusilet, 22) Sufjani, teksa po na tregonte këtë hadith, thoshte: “Na ka treguar Mensuri, ose Ibn Ebu Nexhihu, ose Humejdi, - njëri prej tyre, ose dy prej tyre, - pastaj (Sufjani) pohonte se ishte Mensuri dhe disa herë në vazhdimësi e braktisi mëdyshjen që kishte. Ajeti: “ Edhe nëse ata durojnë, sërish zjarri është vendstrehim për ta; edhe nëse kërkojnë falje, lutja nuk do t'u merret parasysh.” (Fusilet, 24) Amër ibn Aliu na ka thënë: “Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Sufjani, i cili thotë: “Ngjashëm më ka treguar Mensuri nga Muxhahidi, e ky nga Ebu Mameri, e ky nga Abdullahu.””