“Muhamed ibn Abdurrahimi na ka thënë: Na ka treguar Harun ibn Marufi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Hasen ibn Muslimi nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam falur namazin e Bajramit të Fitrit me Pejgamberin ﷺ, Ebu Bekrin, Omerin dhe me Othmanin . Të gjithë e falnin namazin para hutbes, pastaj ligjëronin. Sikur po e shoh tani Pejgamberin ﷺ kur doli (pas namazit të Bajramit) duke ua bërë njerëzve me dorë, që të uleshin, dhe eci së bashku me Bilalin ndërmjet safave, derisa arriti te gratë, të cilave ua lexoi ajetin: “O Pejgamber, nëse vijnë te ti besimtaret e të betohen se nuk do t'i shoqërojnë Allahut asgjë (në adhurim), nuk do të vjedhin, nuk do të bëjnë zina, nuk do t'i vrasin fëmijët e tyre, nuk do të sjellin ndonjë shpifje të sajuar nga ato vetë dhe se nuk do të të kundërshtojnë në çfarë është e drejtë dhe e arsyeshme, atëherë ti pranoje betimin e tyre dhe lutju Allahut t'i falë. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë” (Mumtehine, 12) dhe u tha: “A jeni ende në këtë betim?” - Po, o i Dërguari i Allahut, - i tha njëra prej grave, kurse të tjerat heshtën. - “Atëherë jepni sadaka!” - u tha Pejgamberi ﷺ. Pastaj, Bilali e shtriu rrobën e tij (që gratë t'i vendosnin sadakatë e tyre), ndërkaq ato i hidhnin byzylykët dhe unazat në rrobën e Bilalit.””