“Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Bilali nga Jahjai, e ky nga Ubejd ibn Hunejni se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Prita kohë të gjatë duke dashur ta pyesja Omer ibn Hatabin për një ajet, por nuk mund ta pyesja për shkak të karakterit të tij serioz. Kështu, kur u nis për haxh, u nisa edhe unë me të. Gjatë rrugës për t'u kthyer, ai u ndal pranë disa drurëve për nevojë, ndërsa unë e prita derisa u kthye. I shkova pas dhe e pyeta: - O prijësi i besimtarëve, cilat kanë qenë dy gratë e Pejgamberit ﷺ, të cilat u morën vesh për t'ia zbuluar të fshehtën atij? - Ato kanë qenë Hafsa dhe Aishja, - u përgjigj. - Betohem në Allahun se kam pritur kohë të gjatë për të ta bërë këtë pyetje, por s'mund të të pyesja për shkak të karakterit tënd serioz që ke, - i thashë unë. - Mos vepro kështu! Kur ta merr mendja se unë di diçka, më pyet, e, nëse kam dituri për të, të njoftoj. Pastaj Omeri vazhdoi: - Betohem në Allahun se, në kohën e injorancës paraislame grave nuk u jepeshin kurrfarë të drejtash, derisa Allahu shpalli për to atë që shpalli dhe përcaktoi për to atë që përcaktoi. Kështu, teksa njëherë isha duke menduar rreth kësaj çështjeje, gruaja ime më tha: “Sikur të bëje kështu e kështu?” I thashë: “Pse i fut hundët në çështjet tona? Mos të kam angazhuar për çështjen që kam ndërmend ta bëj?” Ajo ma ktheu: “Çudi me ty, o Ibn Hatab! S'ke dëshirë që dikush të të këshillojë, ndërkaq ka pasur raste kur bija jote ia ka kthyer fjalën të Dërguarit të Allahut ﷺ, saqë e ka zemëruar për tërë ditën.” Kështu, Omeri u ngrit, e mori ridanë e tij dhe, kur shkoi te Hafsa, i tha: - Oj bija ime, vallë, ka pasur raste kur ia ke kthyer fjalën të Dërguarit të Allahut, saqë ai të hidhërohej tërë ditën? - Për Allahun, ka raste kur ia kthejmë fjalën, - tha Hafsa. - Ta dish se unë po ta tërheq vërejtjen nga dënimi i Allahut dhe hidhërimi i të Dërguarit të Tij ﷺ! Oj bija ime! Mos u mashtro me këtë ortaken tënde, se ajo është më e bukur dhe më e dashur për Pejgamberin ﷺ se ti, - tha Omeri, - duke aluduar në Aishen. Pastaj u ktheva dhe hyra tek Umu Seleme, ngaqë kisha afërsi gjaku, dhe bisedova me të. Umu Seleme më tha: “Çudi me ty, o Ibn Hatab! Ke ndërhyrë në çdo gjë, saqë po tenton të ndërhysh edhe midis të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe bashkëshorteve të tij!” Betohem në Allahun se fjalët e saj më goditën, saqë ma ndërruan mendjen, andaj dola që andej. Ndërkohë, unë kisha një shok ensar, i cili, sa herë që unë mungoja, m'i përcillte lajmet dhe, sa herë që ai mungonte, unë ia përcillja lajmet. Atëkohë kishim frikë nga një mbret i fisit gasan, për të cilin flitej se po përgatitej për të na sulmuar, andaj preokupoheshim shumë me të. Kur, ja, një ditë, shoku im ensar ma trokiti derën dhe tha: “Hape! Hape!” - A erdhi ai nga fisi gasan? - i thashë. - Ç'është e vërteta, ka ndodhur diçka më e madhe: Pejgamberi ﷺ është larguar prej grave të veta. - Ah, mjerë Hafsa dhe Aishja! - thashë. Më pas, u vesha, shkova dhe e takova Pejgamberin ﷺ në një dhomë të tijën, në të cilin ngjitej përmes trungut. Në krye të shkallëve qëndronte një shërbëtor zezak i të Dërguarit të Allahut ﷺ. I thashë: “Thuaj se është Omer ibn Hatabi dhe Pejgamberi ﷺ më lejoi të hyj. Në vijim, ia tregova Pejgamberit ﷺ ndodhinë, e, kur mbërrita te biseda me Umu Selemen, i Dërguari i Allahut ﷺ buzëqeshi, ndërkohë qëndronte shtrirë sipër një hasre, mbi të cilën s'kishte shtruar asgjë, ndërsa kokën e kishte mbështetur në një jastëk lëkure të mbushur me fije palme . Te këmbët kishte gjethe që përdoreshin për regjje, kurse te koka qëndronte një lëkurë e varur. Pastaj ia pashë gjurmët e hasrës në trupin e tij dhe u lëshova në vaj. Pejgamberi ﷺ më tha: - “Çfarë të bën të qash?” - O i Dërguari i Allahut! Kisrai dhe Cezari ç'nuk posedojnë, ndërkohë ti je i Dërguari i Allahut?! - i thashë. - “A nuk je i kënaqur që dynjaja të jetë për ta, kurse ahireti (bota tjetër) për ne?” - më tha i Dërguari i Allahut ﷺ.””