“Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane nga Ebu Bishri, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ me një grup shokësh u nisën për te tregu Ukadh. Në atë kohë, shejtanët ishin penguar nga dëgjimi i lajmeve qiellore dhe u ishin lëshuar meteorët, prandaj, kur u kthyen në mesin e popullit të vet, i pyetën: - Ç'ka ndodhur me ju? - Jemi penguar nga dëgjimi i lajmeve qiellore dhe na janë lëshuar meteorët, - thanë. - Meqë qenkëshit penguar nga dëgjimi i lajmeve qiellore, me siguri paska ndodhur diçka (e madhe). Shpërndahuni nëpër skajet e Tokës dhe hulumtoni ç'është kjo gjë që ka ndodhur, - thanë populli. Kështu, ata (shejtanët) u shpërndanë gjithandej nëpër tokë, në lindje e perëndim, për të parë cili ishte shkaku që i kishte penguar t'i dëgjonin lajmet qiellore. Grupi që u nis në drejtim të Tihames, ndeshën në Pejgamberin ﷺ, i cili kishte arritur në Nahle, rrugës për te tregu Ukadh. E gjetën duke falur namazin e sabahut me shokët e tij. Kur e dëgjuan Kuranin, u ndalën dhe veshtruan. Pastaj thanë: “Ky qenka shkaku që jeni penguar nga dëgjimi i lajmeve qiellore.” Kur u kthyen në mesin e popullit të vet, iu drejtuan: “O populli ynë! “... Ne kemi dëgjuar një Kuran të mrekullueshëm, i cili udhëzon në rrugën e drejtë dhe kemi besuar në të, prandaj kurrsesi më nuk do t'i shoqërojmë askënd Zotit tonë (në adhurim)!” (Xhin, 1-2) Atëherë, Allahu ia zbriti Pejgamberit ﷺ ajetet: “Thuaj (o Muhamed): “Mua më është shpallur se disa xhinë kanë dëgjuar (Kuranin)...” (Xhin, 1) Ajo që iu shpall Pejgamberit ﷺ ishin fjalët e xhinëve (që ua kishin thënë popullit të vet).””