“Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi. Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të tregonte rreth periudhës së ndërprerjes së shpalljes, tha: “Ndërsa ecja, dëgjova një zë nga qielli. Kur ngrita kokën, pashë të njëjtin melek që më pati ardhur në shpellën Hira, ulur në një karrige ndërmjet qiellit dhe Tokës. Më kaploi frika nga kjo pamje, andaj sërish u ktheva (te Hadixhja) dhe thashë: “Më mbuloni! Më mbuloni!” Pasi më mbuluan, Allahu shpalli: “O ti, i mbështjellë! Çohu dhe paralajmëro! Zotin tënd madhëroje! Petkat e tua pastroji! Dhe largohu nga ndyrësia!” (Mudethir, 1-5) Gjithë kjo ka ndodhur para se namazi të bëhej obligim. Me fjalën ﴾الرُّجْزَ﴿ (ndyrësia) janë për qëllim idhujt.””