“Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Vekiu nga Ameshi, e ky nga Sad ibn Ubejde, e ky nga Ebu Abdurrahmani se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po rrinim me Pejgamberin ﷺ, tha: “Secilit prej jush i është caktuar vendi i vet: në Xhenet ose në Zjarr.” Ne pyetëm: “O i Dërguari i Allahut, atëherë, pra, a të mbështetemi (në caktim, e t'i lëmë veprat)?” - “Jo, por punoni, sepse çdonjërit do t'i lehtësohet (ajo që i është caktuar) ”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ, pastaj citoi ajetet: “Sa për atë që jep, ka frikë (nga Allahu) dhe dëshmon për vërtetësinë e më së bukurës (besimit), Ne do t'ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit. Ndërkaq, atij që është koprrac, ndihet i vetëmjaftueshëm, dhe e quan gënjeshtër më të bukurën (besimin), Ne do t'ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit.” (Lejl, 5-10)”