“Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Ameshi, e ky e ka dëgjuar Sad ibn Ubejden, e këtij i ka treguar Ebu Abdurrahman Sulemiu se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në një varrim, Pejgamberi ﷺ mori diçka dhe bëri ca vija në tokë, pastaj tha: “Secilit prej jush i është caktuar vendi i vet: ose në Zjarr , ose në Xhenet .” Të pranishmit pyetën: “O i Dërguari i Allahut, atëherë, pra, a t'i mbështetemi caktimit e t'i lëmë veprat? - “Punoni, sepse çdonjërit do t'i lehtësohet ajo për të cilën është krijuar. Sa u përket fatlumëve, atyre do t'u lehtësohen punët e fatlumëve, kurse fatkëqijve do t'u lehtësohen punët e fatkëqijve”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ, pastaj citoi ajetet: “Sa për atë që jep, ka frikë (nga Allahu) dhe dëshmon për vërtetësinë e më së bukurës (besimit), Ne do t'ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit. Ndërkaq, atij që është koprrac, ndihet i vetëmjaftueshëm, dhe e quan gënjeshtër më të bukurën (besimin), Ne do t'ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit.” (Lejl, 5-10)”