“Musa ibn Ismaili transmeton nga Ibrahim ibn Sadi, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi nga Ubejd ibn Sebaku se Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pas Betejës së Jemames, Ebu Bekri dërgoi dikë për të më thirrur. Kur shkova, aty gjeta edhe Omer ibn Hatabin. Ebu Bekri më tha: “Omeri po më thotë se gjatë Betejës së Jemames janë vrarë shumë hafëzë të Kuranit, andaj kam frikë se, nëse vazhdon kështu edhe nëpër vende të tjera, mund të humbë një pjesë e konsiderueshme e Kuranit. Prandaj, mendoj që është e udhës të urdhërosh që Kurani të tubohet.” Ebu Bekri vazhdon: “I thashë Omerit: “Si, vallë, do të bësh diçka që i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e ka bërë?!” Omeri më tha: “Betohem në Allahun se kjo do të jetë punë e mirë.” Kështu, Omeri vazhdoi të këmbëngulte në këtë, derisa Allahu ma mbushi mendjen dhe u binda njëjtë siç ishte bindur Omeri.” Zejdi tregon: “Ebu Bekri më tha: “Ti vërtet që je një djalosh i mençur, në të cilin nuk kemi asnjë vërejtje dhe je njëri ndër personat që e shkruanin shpalljen për të Dërguarin e Allahut ﷺ. Prandaj gjurmo pjesët e Kuranit dhe tuboji!” Betohem në Allahun se, sikur të më ngarkonin të lëvizja një kod ër , do ta kisha më të lehtë sesa këtë detyrë që ma dha për tubimin e Kuranit. Thashë: “Si ka mundësi të veproni një punë që s'e ka bërë i Dërguari i Allahut ﷺ?!” Ai më tha: “Betohem në Allahun se kjo do të jetë një punë e mirë.” Ebu Bekri vazhdimisht më nxiste derisa Allahu ma mbushi mendjen të bindem siç ishin bindur ai dhe Omeri. Kështu, fillova t'i kërkoj pjesët e Kuranit nëpër lëvozhga të drurëve, rrasa të gurëve, si dhe në pjesët që sahabët i kishin mësuar përmendsh dhe t'i tuboj në një vend.” Fundin e sures Teube e gjeta (të shkruar) vetëm tek Ebu Huzejme Ensariu, e tek askush tjetër. Është fjala për ajetet: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët. Nëse ata largohen (nga e vërteta), thuaj: “Më mjafton Allahu, s'ka të adhuruar të denjë përveç Tij. Unë mbështetem tek Ai që është Zot i Fronit të Madh!” (Teube, 128-129) Këto fletushka mbetën tek Ebu Bekri derisa vdiq, pastaj tek Omeri sa ishte gjallë, pastaj te Hafsa, e bija e Omerit.””