“Musai na ka thënë: Na ka treguar Ibrahimi, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Hudhejfe ibn Jemani vajti tek Othmani, - gjatë kohës kur ishte duke luftuar në radhët e banorëve të Shamit dhe të Irakut, për ta çliruar Armeninë dhe Azerbajxhanin, - ndërkohë që Hudhejfe ishte habitur nga dallimet e mëdha që kishin mes vete (banorët e Shamit dhe Irakut) në leximin e Kuranit, andaj i tha Othmanit: - O prijës i besimtarëve! Ndale këtë umet para se të përçahen për Librin (Kuranin) siç u përçanë hebrenjtë dhe të krishterët. Kështu, Othmani i çoi fjalë Hafsës të na i sjellë fletushkat që t'i kopjojmë nëpër mus'hafë e pastaj t'ia kthejmë. Hafsa ia dërgoi Othmanit fletushkat dhe ai menjëherë e urdhëroi Zejd ibn Thabitin, Abdullah ibn Zubejrin, Seid ibn Asin dhe Abdurrahman ibn Harith ibn Hishamin, të cilët i kopjuan ato nëpër mus'hafë. Pastaj Othmani i tha njërit prej tre shkruesve që i përkisnin fisit kurejsh: “Po qe se ju (të tre) keni kundërthënie me Zejd ibn Thabitin në ndonjë pjesë të Kuranit, shkruajeni atë sipas dialektit të kurejshëve, sepse Kurani ka zbritur në dialektin e tyre.” Ata vepruan ashtu derisa e mbaruan kopjimin e fletushkave. Othmani ia ktheu fletushkat Hafsës dhe dërgoi në çdo krahinë nga një mus'haf prej atyre që i kopjuan, si dhe urdhëroi të digjet çdo gjë tjetër që ishte shkruar më herët prej Kuranit, qoftë fletushkë, qoftë mus'haf.””