“Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Jezid ibn Hadi nga Muhamed ibn Ibrahimi se Usejd ibn Hudajri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen se si një natë, teksa po lexonte suren Bekare, ndërsa kalin e kishte të lidhur pranë, papritmas kali filloi të ngrihej qirithi. Kur u ndal së lexuari, pushoi edhe kali. Pastaj vazhdoi të lexojë, por kali prapë filloi të ngrihej qirithi. U ndal edhe një herë, sakaq pushoi edhe kali. Sërish vazhdoi leximin, e në atë rast kali prapë filloi të ngrihej qirithi. Pas kësaj u largua, se i biri i tij, Jahjai, qëndronte pranë kalit duke fjetur, andaj frikësohej mos e godiste kali. Pasi e tërhoqi atë, ngriti shikimin nga qielli (duke shikuar diçka) derisa s'mund të shihte më asgjë. Me të aguar, i tregoi të Dërguarit të Allahut ﷺ për këtë, i cili i tha: “Lexo, o Ibn Hudajr! Lexo, o Ibn Hudajr!” Ai tha: “Kisha frikë, o i Dërguari i Allahut, se mos e shkelte Jahjain, sepse ishte afër tij, kështu që shkova tek ai, pastaj ngrita kokën nga qielli, ku pashë diçka në formë çadre që përmbante ca gjëra si llamba, e cila u ngrit lart, saqë s'mund ta shihja më. Pejgamberi ﷺ e pyeti: “Vallë, e di çfarë ka qenë ajo?” - Jo, - u përgjigj ai. - “Ata kanë qenë melekët, të cilët janë afruar sapo kanë dëgjuar zërin tënd. Po të lexoje më tutje, do të qëndronin ashtu pa u fshehur, saqë do t'i shihnin edhe njerëzit”, - i tha Pejgamberi ﷺ. Ibn Hadi ka thënë: “Këtë hadith ma ka treguar Abdullah ibn Hababi nga Ebu Seid Hudriu, e ky nga Usejd ibn Hudajri.””