“Hakem ibn Nafiu na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri, e këtij i ka rrëfyer Zejnebe bint Ebu Seleme se Umu Habibe bint Ebu Sufjani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i ka thënë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, merre edhe motrën time për grua, të bijën e Ebu Sufjanit!” - “Vërtet të pëlqen kjo gjë?” - më pyeti Pejgamberi ﷺ. - Po, sepse, sido që të jetë, unë nuk jam gruaja jote e vetme, andaj, ajo që më së shumti do të kisha dëshirë të më shoqëronte në mirësi është motra ime, - i thashë unë. - “Kjo nuk më lejohet”, - tha Pejgamberi ﷺ. - Ne po dëgjojmë se je duke dashur të martohesh me bijën e Ebu Selemes? - i thashë. - “Të bijën e Umu Selemes?!” - pyeti. - Po, - i thashë. - “Ajo, edhe sikur të mos ishte nën kujdesin tim (nëna e saj është gruaja ime) , nuk do të më lejohej, sepse ajo është e bija e vëllait tim nga gjidhënia. Thuvejbja më ka dhënë gji mua dhe Ebu Selemes. Andaj, mos m'i propozoni vajzat e as motrat tuaja!” - tha Pejgamberi ﷺ. Urve thotë: “Thuvejbja ishte robëreshë e Ebu Lehebit, të cilën e kishte liruar, që njëherazi i kishte dhënë gji Pejgamberit ﷺ. Kur vdiq Ebu Lehebi, një familjar i tij e pa në ëndërr në gjendje shumë të keqe dhe e pyeti: “Çka ke gjetur?” - Asgjë (të mirë) nuk kam gjetur pas vdekjes, përpos se më është dhënë të pi prej këtij uji, për shkak se e kam liruar Thuvejben, - kishte thënë Ebu Lehebi.””